
SPAK dërgon për gjykim tre zyrtarë për korrupsion zgjedhor.
Bëhet fjalë për shtetasit Dritan Stoka, Agim Osma, Alqi Hajdini dhe Ylli Baruti, të cilët akuzohen për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, në bashkëpunim me njëri tjetrin, të arrestuarit Dritan Stoka, Agim Osma, Alqi Hajdini dhe Ylli Baruti, kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje për disa shtetas, sipas përgjimeve të bisedave telefonike.
Dritan Stoka, zyrtar i Drejtorisë së Përgjithshme të ASHK-së dhe Agim Osma, kryeplak i Lagjes së Re, Sauk, dyshohet se kanë kryer veprime aktive gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të vitit 2019, duke kërkuar nga persona të ndryshëm përgatitjen e listave të personave që do të merrnin pjesë në zgjedhje, duke i detyruar për të votuar ose përcaktuar mënyrën e votimit, kundrejt përfitimeve, si për qëndrim në punë ose dhe nxjerrjen e lejeve të legalizimit për ndërtimet informale të votuesve në zonën e Saukut.
Ndërsa Alqi Hajdini, jurist dhe Ylli Baruti, në rolin e sekserit, nëpërmjet pranimit të përfitimeve të parregullta, shpërblim në të holla, kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të shtetasve G.K., N.S., E. M. dhe K.D.
Njoftimi:
SPAK dërgon për gjykim tre zyrtarë për korrupsion zgjedhor
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më 7 Prill ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë procedimin penal nr. 100 të vitit 2020*.
Çështja penale është në ngarkim të të pandehurve Dritan Stoka. Agim Osma, Alqi Hajdini dhe Ylli Baruti për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 259, 244 dhe 245, paragrafi parë i K.Penal.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar plotësisht e provuar se personat e pandehur; Dritan Stoka, zyrtar i Drejtorisë së Përgjithshme të ASHK-së dhe Agim Osma, kryeplak i Lagjes së Re, Sauk Tiranë kanë konsumuar elementët e veprave penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 2 dhe 25 të Kodit Penal (përpara ndryshimit me ligjin nr. 43/2021, datë 23.3.2021) dhe “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal, pasi kanë kryer veprime aktive gjatë fushatës elektorale për zgjedhjeve vendore të vitit 2019.
Ata kanë kërkuar nga persona të ndryshëm përgatitjen e listave të zgjedhësve duke i detyruar për të votuar ose duke përcaktuar mënyrën e votimit, kundrejt përfitimeve të parregullta; qëndrimin në punë apo edhe nxjerrjen e lejeve të legalizimit për ndërtimet informale të votuesve në zonën e Saukut Tiranë.
Nga bisedat e përgjuara, të përfshira në fashikullin e procedimin penal ka rezultuar se përmes veprimeve të tyre, në bashkëpunim me njëri tjetrin, përmes kërkimit, marrjes dhe pranimit, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të përfitimeve të parregullta kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të disa shtetasve.
Për personat e pandehur Alqi Hajdini, i cili në kohën e kryerjes së veprimeve mbante detyrën si jurist i ALUIZNI Tirana Jug dhe më pas ASHK Tirana Jug dhe shtetasi Ylli Baruti, në rolin e ndërmjetësit, kanë konsumuar elementët e veprës penale ”Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 2 dhe 25 të Kodi Penal (përpara ndryshimit me ligjin nr. 43/2021, datë 23.3.2021), pasi me veprimet e tyre, në bashkëpunim me njëri tjetrin, përmes kërkimit, marrjes dhe pranimit të drejtperdrejtë të përfitimeve të parregullta apo shpërblim në te holla, kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të shtetasve G.K., N.S., E. M. dhe K.D.
Lidhur me këtë hetim, janë veçuar aktet në procedimin penal nr.100/1 të vitit 2020 për persona të tjerë të përfshirë në këto aktivitete të paligjshme.
Top Channel