
I frymëzuar nga bregdeti shqiptar, me plazhet mbreslënëse, piktori Pashk Përvathi ka hedhur në telajo mbi 50 peizazhe nga Shëngjini në Himarë.
“Në kohë të ndryshme, unë i drejtohem detit, për ta kërkuar pastërtinë, thellësinë e detit, ngjyrën potente të Jonit dhe delikatesën e Adriatikut“, shprehet piktori.
I njohur si piktori i vjeshtës, Përvathi vjen këtë herë me ekspozitë adriatiko-joniane, ku temë ka vetëm detin, që në këto krijime vjen si një subjekt i gjallë. Mes plazheve të Jonit, ai zgjedh brigjet me kontraste të forta të shkëmbinjve e ujëra të kristaltë.
“Në veçantë në një pjesë të Vlorës është Jonufra, në Dhërmi dhe të Potam të Himarës. Është ajo loja e bukur figurative mes gurëve të mëdhenj në breg, mes atyre të vegjëlve nën ujë dhe transparencës që krijohet rrëzë tyre“, tregon Përvathi.
Ndërsa Perëndimet i zgjedh vetëm në Adriatik, ku shijon delikatesën e qetësinë e detit në Durrës apo Shëngjin.
“Perëndimi ka një veçanti. Kam konstatuar se perëndimi është vetëm në Detin Adriatik dhe jo në Jon, sepse deti Adriatik duke qenë i cekët në planin e parë, dallga krijon një shtrirje elegante prej largësisë“, shprehet artisti.
Ekspozita Adriatiko Joniane do të qëndrojë e hapur në Galerinë + në kryeqytet përgjatë gjithë muajit prill, duke ftuar adhuruesit e pikturës të depërtojnë mes hapësirës së pakufijshme të detit në çdo peizazh.
Top Channel