
Në një mbrëmje të mbushur me emocione dhe art, salla e Pallatit të Kulturës në Lezhë u shndërrua në një tempull muzike, ku tingujt e violinës sollën emocion dhe admirim tek çdo i pranishëm.
Artdashës, prindër, mësues e përfaqësues të jetës kulturore e institucionale u mblodhën për të ndjekur koncertin e parë recital të violinistes së re Melisa Figuri.
E shoqëruar nga Orkestra e Harqeve e Radio Televizionit Shqiptar, nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja, Melisa interpretoi një repertor të përzgjedhur me shumë kujdes, që përfshinte vepra nga kompozitorë të njohur si Vivaldi, Sarasate, Accolay dhe Kreisler.
Performanca e saj u përshkua nga finesë teknike dhe ndjeshmëri artistike, duke bërë që publiku ta shpërblente me duartrokitje të zjarrta.
Dirigjenti Gridi Kraja u shpreh i impresionuar jo vetëm nga niveli i interpretimit, por edhe nga mikpritja dhe atmosfera artistike që gjeti në Lezhë. Ai vlerësoi talentin dhe përkushtimin e violinistes së re, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së talenteve të reja në skenën shqiptare.
Pas koncertit, Melisa Figuri falënderoi publikun për emocionet e papërshkrueshme që i dhuroi kjo mbrëmje.
Ky është një nga koncertet e shumtë që vijnë nga nxënësit e talentuar të shkollës “Besëlidhja”, të cilët çdo vit e kanë kthyer në traditë mbajtjen e tyre në skenën e Pallatit të Kulturës.
Top Channel