
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Bashkimi Evropian ta trajtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE, duke thënë se Kosova nuk ka “plan B”, por është plotësisht e angazhuar për integrim në bllokun evropian.
“Ka ardhur koha që Kosova dhe BE të intensifikojnë përpjekjet e përbashkëta për të tejkaluar pengesat që e pengojnë procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE”, tha Kurti, gjatë një diskutimi në Bruksel të organizuar nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane.
“Kjo do të thotë: të iniciohet Pyetësori për Kosovën, për të vlerësuar kapacitetet tona institucionale dhe ligjore për anëtarësim në BE; dhe të përgatitet një mendim të bazuar në merita për statusin e kandidatit të BE-së”, shtoi ai.
Kosova aplikoi për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022, dhe tani ajo mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat.
Vetëm pak orë më herët të hënën, shefja e politikës së jashtme të bllokut evropian, Kaja Kallas, kishte thënë se as Kosova, e as Serbia nuk mund të ecin përpara në rrugën drejt BE-së pa normalizim të marrëdhënieve.
E pyetur për ngecjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Kallas tha “ajo çfarë po bëjmë këtë muaj është analizimi” së bashku me të dërguarit e BE-së për dialogun, Peter Sorensen, i cili e mori detyrën në shkurt.
Nën ndërmjetësimin e BE-së, në vitin 2023 Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, prej atëherë, blloku i ka kritikuar ato të dyja vendet se nuk e kanë zbatuar marrëveshjen pavarësisht se ajo është e detyrueshme për to.
Për shkak të krizave në veriun e Kosovës, që rritën tensionet mes dy vendeve, që nga shtatori i vitit 2023 në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë rund i dialogut politik, por ka pasur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve.
Kosovës mund t’i duhen vite të tëra për ta fituar statusin e vendit kandidat, pasi që edhe vendet e rajonit kanë pritur ngjashëm, si Shqipëria që priti pesë vjet, dhe Bosnja dhe Hercegovina gjashtë vjet. Megjithatë, disa vende, si Ukraina dhe Moldavia, pritën vetëm disa muaj për ta fituar këtë status.
Top Channel