
Saimir Kajlic nga qyteti i Fierit ishte vetëm 17 vjeç kur emigroi drejt Italisë.
Pas më shumë se dhjetë vitesh pune në ndërtim në shtetin fqinj, me ndihmën e një miku italian vendosi të kthehej në Shqipëri për të ushtruar profesionin e artizanit në punimet me argjilë. Edhe pse ishte një fushë e re për të, Saimiri arriti shumë shpejt të përvetësonte zanatin dhe të prodhonte një shumëllojshmëri objektesh prej balte.
“Për të prodhuar në Shqipëri, duhej të siguronim lëndën e parë argjilën dhe na u përshtat më së miri ajo e zonës së Fushë-Krujës. Më pas, sollëm të gjitha format dhe pajisjet nga Italia. Miku im italian qëndroi këtu për rreth dy javë, gjatë të cilave më mësoi zanatin, ndërsa tani jam në proces të plotë prodhimi, duke importuar dhe eksportuar produktet tona.”
Prej vitit 2018, Saimiri është përkushtuar plotësisht ndaj këtij profesioni.
“Fillimet ishin të vështira, pasi nuk kisha përvojë dhe klientela ishte e kufizuar. Por sot, pas më shumë se shtatë vitesh eksperience, kemi arritur të bëhemi një nga prodhuesit më të mëdhenj në Shqipëri për vazo të mëdha.”
Saimiri prodhon kryesisht 400 modele të ndryshme vazosh dhe qypash, të cilat shiten jo vetëm në tregun italian, por edhe në atë vendas, ku veçanërisht Tirana, Durrësi dhe jugu i Shqipërisë kanë një kërkesë të lartë për këto produkte.
Më të kërkuarit janë qypat dekorativë dhe vazot e luleve. Për të, ky zanat nuk është thjesht një biznes, por një pasion që e ka rikthyer në vendlindje dhe i ka dhënë mundësinë të krijojë diçka me vlerë.
Top Channel