
Nga Anila Hoxha
Sekreti.
Në datë 14 mars një gjyqtar i posaçëm në Tiranë ka vendosur arrest në burg ndaj dy ish zyrtarëve dhe po me kërkesë të SPAK u shpall në një seancë me dyer të mbyllura “ndalimi i publikimit të akteve”. Nuk pati as njoftim zyrtar për arrestimet, as nga SPAK dhe as Policia.
Gjendur përballë informacioneve të shumta që më sinjalizuan se dy të dyshuarit ishin arrestuar pas hakerimit të Pc të prokurorëve të posaçëm në të njëjtën datë ju drejtova me kërkesë zyrtare SPAK me pyetjen për çfarë vepre penale ishte arrestuar i dyshuari Zambak Gjoni. ( foto 1 e emailit datë 14 mars)
Ndërsa pati heshtje nga instucioni dhe për shkak të rëndësisë dhe interesit publik, vazhdova të mbledh informacione nga burimet, që më saktësuan se “po kishte patur ndërhyrje” .
Në 25 mars iu ridrejtova SPAK me kërkesë mbi të njëjtin objekt, duke kërkuar informim për çka kisha mbledhur; pra të dhëna shtesë për të konfirmuar çka më kishin treguar burimet.
Që hetimi po kryhej për akuzat e nxjerrjes së akteve sekrete dhe ndërhyrje në sistem. Dhe me një seri pyetjesh për të cilat prisja konfirmim dhe që mund t’i gjeni në foton dy ( emaili datë 25 mars)
Në 1 prill SPAK përgjigjet pa përgjigje ishin me frazën : – nuk kemi informacion për të ndarë me ju
U konsultova me ekspertët më të mirë se si duhet të veprojë një gazetar përballë një situate të tillë. A duhet të presë derisa sekreti të marrë dhenë, duhet të rrezikojë dhe për pasojë të merret nën hetim apo duhet të respektojë interesin publik.
Më thanë ” qëndro gazetare” .
Dhe kështu po bëj.
Po e publikoj sot ngërçin e transparencës fshehur pas sekretit hetimor të një prokurorie, e cila nga data 13 mars kur u arrestuan dy ish zyrtarë, vendos më në fund të ndajë informacion.
Asgjë s’ka ndryshuar, sekreti vazhdon sekret, megjithatë sot në datë 3 prill ; prokuroria e posaçme njofton zyrtarisht mes të tjerash:
“Nga verifikimet, ka rezultuar se është ndërhyrë vetëm në adresat e e-maile-ve të disa prokurorëve, por jo në sistemin e përgjithshëm të IT-së të institucionit. Personat përgjegjës kanë arritur të marrin disa informacione, pa mundur të sigurojnë akses në dosje hetimore.
Po ashtu, ata kanë tentuar të ndërhyjnë edhe në email-in e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Z. Altin Dumani, por pa sukses. Falë një hetimi intensiv të drejtuar nga Prokuroria e Posaçme, me përfshirjen e BKH-së si dhe Sektorit të Ekspertizës të kësaj Prokurorie u bë e mundur që të zbulohej kjo ndërhyrje e paligjshme, duke identifikuar dhe arrestuar brenda 24 orëve dy shtetas – individin që ka realizuar ndërhyrjen në e-mail-e dhe atë që ka shpërndarë informacionin tek persona të tretë. Gjithashtu u bë e mundur sekuestrimi i pajisjeve të përdorura për të realizuar ndërhyrjen si edhe skedarët (file) e shkarkuar.”
Top Channel