
Reshjet e dendura të breshërit që ranë pasditen e djeshme në zonën e Frakullës kanë shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi.
Brenda vetëm 20 minutash, dhjetëra hektarë të mbjella u shkatërruan. Sipas verifikimeve paraprake janë dëmtuar rreth 60 hektarë me drurë frutorë dhe ullishte.
Në fshatin Kafaraj, breshëri zgjati rreth 30 minuta, dhe sipas banorëve, nuk është parë ndonjëherë një stuhi e tillë. Një prej fermerëve të prekur shprehet se dëmet janë të konsiderueshme, pasi ullinjtë janë në fazën e lidhjes së kokrrës, ndërsa pemët frutore janë në lulëzim.
Një fermer, i cili kultivon luleshtrydhe dhe ka mbi 2 hektarë prodhim, thotë se ky është dëmi më i madh që ka pësuar ndonjëherë.
Të ndodhur në këto kushte, fermerët e Frakullës kërkojnë ngritjen e një komisioni për verifikimin e parcelave të dëmtuara dhe dëmshpërblimin e tyre nga qeveria.
Top Channel