
E përditshmja britanike “The Telegraph” e Londrës, me një prirje për lajme që nxijnë përgjithësisht Shqipërinë dhe shqiptarët, për çështjet e emigracionit, këtë të diel botoi një shkrim me përshtypje udhëtimi të gazetares Rebbecca Astil, e cila dukshëm e pasponsorizuar, vlerëson lart shndërrimin e Shqipërisë në një nga destinacionet më të mëdha turistike në Evropë dhe shtimin ndër vite të turizmit masiv drejt Shqipërisë.
Ajo përmend veçanërisht Ksmailin dhe dyndjen në atë që e quan në mënyre shabllon si fshat turistik, por që vetëm fshat nuk është, e deri diku është gazetarja britanike, në sintoni të pakoordinuar me shqetësimin e kryeministrit Rama për një resort turistik, të shfaqur se fundmi në fushatë.
Por, “The Telegraph” ngre me shqetësim disa pikëpyetje realiste, pasi mendon se Shqipëria është ne korsinë e shpejtë drejt një tmerri nga mbiturizmi, shqetësim ky i ngritur nga shume njohës të fushës se turizmit në Shqipëri që nuk duan që Shqipëria të shndërrohet në Spanjën e dekadës së ardhshme.
Gjithsesi, shkrime të tilla, edhe pse tingëllojnë si kambane për veshët e autoriteteve dhe operatorëve turistikë shqiptarë, ato padyshim ndikojnë tek opinioni britanik në kuriozitetin për të vizituar dhe pushuar në këtë vend ekzotik, të panjohur sa duhet, deri para pak kohesh dhe me një stigmë paragjykuese.
Linjat e fluturimeve me Londrën dhe qytetet britanike deri në Skoci janë të përditshme dhe shkojnë në disa dhjetëra në jave, e shumica nga përvoja personale edhe në dimër janë mbi gjysma me anglezë, që Shqipërinë e gjejnë mjaft interesante, të lirë dhe të bukur, sikurse vazhdojnë ta gjejnë dhe shijojnë edhe Spanjën, modelin që “The Telegraph”, në varësi të këndvështrimit e shikon si modelin që duhet shmangur.
Top Channel