
Pakujdesia gjatë drejtimit të mjetit vijon të përgjakë rrugët. Muaji mars po mbyllet me bilancin tragjik, 125 aksidente me 20 viktima dhe 158 persona të plagosur.
8 persona humbën jetën vetëm brenda një jave, ku më i rëndi ishte ai i katër të rinjve në Fushë Prezë. Ekspertët ngrenë shqetësimin jo vetëm për sjelljen e drejtuesve të mjeteve, por edhe shtimin e kontrolleve.
“Po marrin përmasa të frikshme drejtuesit që përdorin makinën nën ndikimin e alkoolit dhe drogës, me shpejtësi tej normave që kthehen në rrezik potencial duke humbur shumë jetë njerëzish. Shumë hallka duhet të veprojnë, siç është ministria, policia rrugore, autoshkollat, bizneset dhe përdoruesit e rrugëve, duhet të ulemi të dalim nga kjo situatë kritike”- shprehet eksperti rrugor Tonin Gjinaj.
Ndërkohë, në dy muajt e parë të këtij viti, janar shkurt, sipas Institutit të Statistikave, aksidentet rrugore shënuan ulje me 21.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Në shkurt ndodhën 88 aksidente me 122 të aksidentuar, të vrarë ose të plagosur.
Sipas INSTAT, në 81,8% te rasteve, ato kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Por çfarë duhet bërë për parandalimin e këtyre aksidenteve?
“Ka çdo ditë aksidente, kjo do të thotë që hallkat ndërvepruese nuk po veprojnë. Duke filluar nga policia rrugore, nga ministritë që duhet të angazhohen fuqishëm për ta ndryshuar këtë situatë. Duhet të ndodhë edukimi dhe paranalimi dhe jo të shkojmë në vendngjarje vetëm për të numëruar viktimat”-shton eksperti.
Numri më i lartë i aksidenteve gjatë shkurtit është kryer nga grup-moshat 25-34 vjeç dhe 45-59 vjeç. Ora më problematike e aksidenteve sipas INSTAT është harku 19:00 – 24:00, duke zënë 19,3% të numrit të aksidenteve rrugore gjithsej.
Top Channel