Vijon lufta e Trump me gjyqësorin, gjykatësi federal zgjat afatin e bllokimit te dëbimit të emigrantëve

28/03/2025 22:45

Gjykatësi federal zgjati afatin e një urdhri të përkohshëm ndalimi që kishte lëshuar, duke e ndaluar presidentin amerikan, Donald Trump të përdorte një ligj të shekullit të 18-të që zbatohej vetëm në kohë lufte për të dëbuar emigrantët venezuelianë.

Ky vendim konsiderohet si një goditje ndaj përpjekjeve të presidentit republikan për të përshpejtuar dëbimet e venezuelianëve, të cilët ai i karakterizon si anëtarë të bandës Tren de Aragua.

Vendimi i sotëm i gjykatësit, James Boasberg pezullon dëbimet sipas Aktit të armiqve të huaj të vitit 1798 deri më 12 prill. Boasberg kishte “ngrirë” dëbimet për dy javë më 15 mars, pasi Trump thirri atë ligj për t’i justifikuar ato.

Organizata për të drejtat civile ACLU (American Civil Liberties Union) kishte ngritur një padi kundër qeverisë amerikane, me argumentin se emigrantëve iu mohua e drejta për një gjykim të drejtë dhe nuk iu dha mundësia të provonin se nuk ishin anëtarë të bandës.

Administrata Trump thotë se banda Tren de Aragua, të cilën e cilësoi si “organizatë terroriste” në shkurt, po zhvillon “luftë asimetrike” në Shtetet e Bashkuara dhe se hyrja e anëtarëve të saj në Shtetet e Bashkuara përbën një pushtim, duke justifikuar përdorimin e ligjit.

Akti i armiqve të huaj është përdorur tre herë në historinë e SHBA-së: në Luftën e 1812 dhe në të dyja Luftërat Botërore, për të burgosur ose dëbuar emigrantë japonezë, italianë dhe gjermanë.

Më herët gjatë ditës së sotme, administrata Trump apeloi në Gjykatën e Lartë duke i kërkuar asaj të hiqte urdhrin e parë të përkohshëm të Boasberg.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta