
Shkencëtarët në Administratën Kombëtare të Aeronautikës dhe Hapësirës në SHBA (NASA) u befasuan në mënyrë të pakëndshme nga rezultatet e analizës së tyre të imazheve satelitore, sipas të cilave niveli i oqeaneve të planetit u rrit më shumë se sa prisnin gjatë vitit më të nxehtë të regjistruar vitin e kaluar.
Niveli global i deteve u rrit me 5.9 milimetra vitin e kaluar, ndërsa NASA priste një rritje prej 4.3 milimetrash. Kjo është një rritje prej 37% krahasuar me pritjet e shkencëtarëve.
“Rritja që pamë në 2024 ishte më e lartë se sa prisnim”, tha Josh Willis, një ekspert i nivelit të detit në zyrën e NASA-s në Kaliforninë Jugore.
“Çdo vit është pak më ndryshe, por është e qartë se nivelet e oqeanit janë ende në rritje dhe shkalla e rritjes po bëhet më e shpejtë. Me 2024 si viti më i ngrohtë i regjistruar, oqeanet po arrijnë nivelet e tyre më të larta në tre dekada”, shtoi Nadia Vinogradova Schiffer, menaxhere e programit të oqeanografisë fizike të NASA-s në Uashington, në faqen e internetit të agjencisë.
Sipas saj, shkalla e rritjes së nivelit global të detit është më shumë se dyfishuar që nga fillimi i matjeve në vitin 1993. Në total, është rritur me 10 centimetra që atëherë, shkruan uebfaqja ScienceAlert.
Rritja e nivelit të oqeaneve dhe deteve do të vazhdojë, duke kërcënuar gjithnjë e më shumë zonat e ulëta dhe kombet ishullore që mund të zhduken nën ujë. Një nga grupet më të kërcënuara janë ishujt e vegjël në Paqësor. Ishujt Fixhi, arkipelagu Tuvalu, Kiribati, Ishujt Marshall dhe Solomon dhe të tjerë janë në rrezik të zhdukjes.
Këta ishuj përballen me një kërcënim ekzistencial që do të bëhet më dramatik në vitet e ardhshme, ndërkohë që shumica prej tyre tashmë po përballen me probleme serioze, si stuhitë shkatërruese dhe përmbytjet e mëdha. Vitet e fundit, rritja e nivelit të detit është shkaktuar kryesisht nga shkrirja e akullnajave dhe kapakëve të akullit. Kohët e fundit, megjithatë, është shtuar një faktor tjetër, zgjerimi termik, i cili përbën deri në dy të tretat. Sipërfaqja zgjerohet anash si rezultat i rritjes së temperaturës.
Top Channel