Macron mbledh në Paris aleatët për Ukrainës, reagon ashpër Moska: Britania dhe Franca po bëjnë plan për ndërhyrje ushtarake

27/03/2025 11:39

Në Paris po zhvillohet samiti i ri i vendeve “të gatshme” për Ukrainën.

Në Pallatin Elize, presidenti francez Emmanuel Macron ka mbledhur 31 aleatë të Kievit, përfshirë edhe Italinë, e përfaqësuar nga kryeministrja Giorgia Meloni. Në qendër të diskutimeve është “finalizimi” i garancive të sigurisë që do të ofrohen në rast të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë.

I pranishëm është edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili u prit dje në Elize, ku Macron njoftoi ndihma të mëtejshme ushtarake nga Franca me vlerë 2 miliardë euro.

Ndër pjesëmarrësit janë kryeministri britanik Keir Starmer, kancelari gjerman Olaf Scholz, zëvendëspresidenti turk Cevdet Yilmaz, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte dhe drejtues të Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, Moska ka sulmuar takimin: “Londra dhe Parisi vazhdojnë të përpilojnë plane për ndërhyrje ushtarake në Ukrainë, të maskuara si një lloj misioni paqeruajtës”.

Presidenti francez Emmanuel Macron i ka telefonuar Donald Trump-it menjëherë para fillimit të samitit mbi paqen dhe sigurinë në Ukrainë, sipas burimeve nga Pallati Elize.

Po sipas këtyre burimeve, Macron ka biseduar shkurtimisht, para fillimit të punimeve, me disa nga pjesëmarrësit, përfshirë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, kryeministrin britanik Keir Starmer dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Kryeministri britanik Keir Starmer ka akuzuar presidentin rus Vladimir Putin se po bën “premtime boshe” për një marrëveshje armëpushimi në Ukrainë, ndërsa merr pjesë në samitin e ashtuquajturës “koalicioni i të gatshmëve” në Paris.

“Ndryshe nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, Putin ka treguar se nuk është një palë serioze në këto bisedime për paqen. Ai luan me marrëveshjen për armëpushimin detar të arritur në Detin e Zi, pavarësisht pjesëmarrjes me mirëbesim të të gjitha palëve, ndërkohë që vazhdon të kryejë sulme shkatërruese ndaj popullit ukrainas,” ka shtuar Starmer.

“Londra dhe Parisi vazhdojnë të përpilojnë plane për ndërhyrje ushtarake në Ukrainë. E gjithë kjo është e maskuar si një lloj misioni paqeruajtës,” ka deklaruar zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e cituar nga agjencia ruse Tass.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta