Trafikuan 650 emigrantë/ SPAK mbyll hetimin për 17 persona, e përfshirë dhe një agjenci punësimi në Shqipëri

26/03/2025 15:12

Vendi ynë u përdor si korridor kalimi për trafikimin e qindra shtetasve nga Azia dhe Afrika që hynë në vendin tonë me kontrata pune dhe që më pas, përmes transportit tokësor, u larguan sipas një skeme kriminale që SPAK e ka konsideruar në nivel transnacional.

SPAK mbylli hetimet për 17 persona që dyshohen si pjesë e grupeve kriminale, që përmes agjencive në Emiratet e Bashkuara Arabe rekrutonin të rinj që kërkonin të punonin në vendin tonë, por që qëllimi i tyre ishte vendet e BE-së. Dy prokurorët e çështjes, Elida Kackini dhe Altin Dumani, thonë në fashikull se në skemën e punësimit fiktiv u përdorën agjenci punësimi me seli në Tiranë, Vlorë dhe Durrës.

Nga viti 2023 deri në prill 2024, Shqipëria u përdor për tranzit për kalimin e paligjshëm të 650 shtetasve nga Kameruni dhe Bangladeshi, të cilët përmenden në dosje.

Në dosje thuhet se secili nga të akuzuarit kishte rol aktiv, që nga transporti nga aeroportet e Dubait dhe Kamerunit, pritësit në Rinas, nxjerrja e vizës, deri te punësimi fiktiv në subjekte të ndryshme.

Shoqëritë e përfshira dyshohen të jenë mbi 15 të tilla, duke nisur nga një agjenci udhëtimi me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe deri te subjektet në Shqipëri që operonin në fushën e konfeksioneve dhe konservimit.

Ortakët apo administratorët e këtyre të fundit dyshohen se lëshonin dosje punësimi fiktive me qëllim pajisjen me vizë pune të të huajve. Në këtë praktikë, sipas akuzave të ngritura të SPAK, u përfshinë edhe zyrtarë të policisë kufitare dhe emigracionit.

Për largimin e tyre u përdor rruga ballkanike: Shqipëri – Kosovë – Serbi e më tej BE.

Për përpilimin e akuzave, ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit, kryer në bashkëpunim, falsifikim dokumentesh, dhe grup kriminal, SPAK ju referohet edhe përgjimeve dhe vëzhgimeve ambientale, ku të dyshuarit shfaqen duke pritur dhe akomoduar punëtorët fiktivë.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta