
Këshilltari i sigurisë kombëtare i Donald Trump, Michael Waltz, tha të martën se ai merr përgjegjësinë e plotë për bisedën në grup të zyrtarëve të lartë të administratës që përfshinte pa dashje një gazetar dhe zbuloi informacione shumë të ndjeshme rreth sulmeve ajrore të planifikuara në Jemen.
Komentet e Waltz erdhën një ditë pasi Jeffrey Goldberg, kryeredaktor i Atlantic, zbuloi se ai u shtua në një grup në Signal, një aplikacion privat i mesazheve, që përfshinte zëvendëspresidentin JD Vance, sekretarin e mbrojtjes Pete Hegseth, sekretarin e shtetit Marco Rubio dhe figura të tjera të profilit të lartë që diskutonin mbi sulmet e planifikuara operative në Jemen.
Goldberg tha që Waltz e kishte ftuar gabimisht në bisedë. Gazetari i shquar mbeti në grup i pazbuluar ndërsa anëtarët e kabinetit të presidentit diskutuan politikën dhe koordinuan një valë bombardimesh , një shkelje e jashtëzakonshme që kritikët thanë se rrezikonte sigurinë kombëtare.
I ftuar në Fox News, Waltz pranoi përgjegjësinë për krijimin e grupit Signal, megjithëse vazhdoi të shmangte fajin, ofendoi Goldberg dhe tha se nuk mund të shpjegonte se si kishte ndodhur gabimi.
“Është e turpshme, po. Ne do t’i shkojmë deri në fund. Asnjë punonjës nuk ishte përgjegjës. Unë marr përgjegjësinë e plotë. Unë e ndërtova grupin. Detyra ime është të sigurohesha që gjithçka të jetë e koordinuar”, tha Waltz.
Kur u pyet se si përfundoi numri i Goldberg në grup, Waltz u përgjigj: “A keni pasur ndonjëherë kontaktin e dikujt që tregon emrin e tyre dhe më pas keni numrin e dikujt tjetër atje? Sigurisht që nuk e pashë këtë dështak në grup. Dukej si dikush tjetër. Ai ndoshta e bëri atë qëllimisht ose ndodhi në ndonjë përpjekje tjetër teknike që ne po përpiqeshim të kuptonim.”
Waltz nuk ofroi asnjë provë se si Goldberg mund të kishte përfunduar qëllimisht në grup.
Më herët në intervistë, ai tha se nuk e njihte Goldberg, duke e quajtur atë “llumin e poshtëm të gazetarëve” ndërsa kritikoi mediat për fokusimin në polemika.
Top Channel