
“Nuk ishte e nevojshme të kryhej backup, pasi vetë sistemi TIMS e kryente automatikisht një proces të tillë.”
Ky është rezultati i ekspertëve në sistemin TIMS që ka bindur prokuroren e çështjes, Anisa Qilimi, se ndaj drejtorit të Teknologjisë së Informacionit duhet ngritur akuzë.
Zyrtarisht, prokuroria e Tiranës njoftoi se ndaj Ervin Muços adresohet vepra e “hyrjes së paautorizuar kompjuterike”, ndërkohë që një hetim tjetër po kryhet edhe ndaj zyrtarëve të tjerë që dyshohen se nuk morën masa për të parandaluar skandalin e verës së 2023, kur funksionari hyri në serverë për të kopjuar të dhënat e TIMS, edhe pse ai këmbëngul se ka kryer backup.
Në dosjen e dorëzuar gjyqtares, prokurorja shprehet se rezulton po ashtu se i pandehuri, gjatë ekstraktimit të të dhënave dhe backup-it, nuk ka informuar drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe po ashtu nuk u ndoq një plan veprimi mbi problematikat e konstatuara.
Nga hetimet rezulton se, në datën 2 gusht 2023 dhe duke vazhduar deri më 3 gusht, përmes kartës së një punonjëseje, persona të paautorizuar hynë në godinën e Teknologjisë së Informacionit dhe asistuan në këtë proces.
Prokuroria thekson se drejtori urdhëroi punonjësit për hapjen e porteve të USB, por me nisjen e ekstraktimit të të dhënave, ky proces nuk ka përfunduar, siç konkludohet në hetime. Për këtë çështje, në atë kohë, i ngarkuari me punë në ambasadën amerikane, Martin McDowell, duke nxitur hetime të gjithanshme, ngriti shqetësimin e SHBA-së në lidhje me ndërhyrjen e raportuar në sistemin TIMS në Policinë e Shtetit.
Ndërkohë, hetimi parlamentar për administrimin e të dhënave të TIMS, ndërsa palët nuk gjetën dakordësinë për miratimin e një raporti të përbashkët, u mbyll me miratimin në Kuvend vetëm të raportit të PS-së. Menjëherë pas ngritjes së akuzës për Ervin Muços, ka reaguar Ervin Salianji, ish-kryetar i këtij komisioni, që kujtoi gjetjet e raportit mbi shkeljet dhe e konsideroi ndërhyrjen në TIMS si një histori mafioze, të cilën SPAK duhet ta hetojë.
Top Channel