
Në këtë banesë të braktisur, 28 vite më parë gratë e familjes Toska përjetuan një tmerr të paimagjinueshëm.
Pas varrimit të vëllait, Gazmendit, i etur për hakmarrje, rreth orës 14:00 të 15 prillit, “Mandela”, së bashku me vëllain e tij Astrit Peqini dhe “Murrashin”, shkuan në banesën e Arjan Toskës. Të tre hapën zjarr për disa minuta, duke terrorizuar gratë dhe fëmijët që ndodheshin brenda saj.
“Ne, në ’97, nuk e kishte problem askush të kryente një vepër penale për shkak të mungesës së autoritetit të shtetit. Por personat që ishin të dënuar në vitet ’90 dhe u liruan në ’97, karakterizoheshin nga një ashpërsi e jashtëzakonshme”, u shpreh Kreshnik Myftari, pedagog.
“Fundi i këtyre ka qenë për të gjithë fund i hidhur, nuk ka qenë se ka gëzuar njeri nga ai aktivitet i paligjshëm që kanë kryer në atë periudhë. Përfundimin e kanë pasur kryesisht në burgje, varreza”, u shpreh avokati Alban Qafa.
Pas breshërisë që derdhën drejt godinës, banda nuk u ndal. Ata u futën në banesë. Përpara u doli bashkëshortja e Arjanit, Lirie Toska, e cila iu lut me fjalët: “Mos shtini, jemi të gjithë gra dhe fëmijë.”
Eduart dhe Astrit Peqini hapën zjarr, duke e plagosur atë në bark dhe këmbë. Nga ana tjetër, “Murrashi” qëlloi në drejtim të kunatës së Arjanit, Nexhmie Toskës, duke e plagosur në të dyja këmbët.
Pas këtij momenti, nëna e Arjanit, Shega Toska, mori fëmijët e vegjël dhe ngjiti në katin e tretë të pallatit duke kërkuar ndihmë. Në këtë moment, “Mandela”, “Pelo” dhe “Murrashi” i vunë flakën banesës, duke shkrumbuar çdo gjë brenda saj.
Kjo është banesa e Arjan Toskës, e braktisur prej 28 vitesh, ku edhe sot shihet një atmosferë e ngarkuar me trishtim nga pasojat e një kohe të kaluar. Pas këtij momenti, Eduart Peqini, përveç 4 vëllezërve të tij, mblodhi pas vetes edhe shumë njerëz të afërt me të.
Ky grupim u quajt “Banda e Mandelës”, kurse pjesëtarët e grupit quheshin “Mandelat”. Nga ana tjetër, Arjan Toska, pasi u vendos në Cërrik, u grupua dhe u organizua me persona të tjerë, duke formuar të ashtuquajturën “Banda e Cërrikut”.
Top Channel