
Dy viktima ishte bilanci i ngjarjes së rëndë në fshatin Stanovc të Vushtrrisë.
Pronari i një furre buke ka vrarë punonjësen dhe më pas veten këtë të hënë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti ka dhënë detaje për mediat vendase për ngjarjen e rëndë.
“Sot, rreth orës 14:56, policia ka pranuar informatën për një vrasje të ndodhur në fshatin Stanovc të Vushtrrisë. Bazuar në hetimet fillestare nga vendi i ngjarjes dyshohet se kryesi i veprës, dorasi 58-vjeçar me iniciale A.M., ka qëlluar për vdekje viktimën femër, 42-vjeçare me iniciale N.H., e më pas i dyshuari ka qëlluar edhe veten.
Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar një armë pistoletë. Me urdhër të Prokurorit, dy trupat e pajetë dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Hetuesit policorë nën udhëheqjen e prokurorit po vazhdojnë hetimet për veprat penale ” Vrasje e rëndë ‘ dhe ” Vetëvrasje”, u shpreh Zahiti.
Mes banorëve që u mblodhën për të mësuar për ngjarjen, është edhe bashkëshorti i viktimës, i cili ka vënë duart në kokë kur ka zbuluar se gruaja e tij është vrarë.
Ky është rasti i dytë që trondit Vushtrrinë brenda 24 orëve, pasi vetëm një ditë më parë një 19-vjeçar u vra nga një bashkëmoshatar.
Top Channel