
Emisioni investigativ Fiks Fare ka trajtuar mbrëmjen e sotme një rast mashtrimi, ku një qytetare shqiptare, që jeton në Belgjikë, denoncon Fisnik Sylën se i ka marrë 25 mijë euro me premtimin se do t’i bënte dokumentet belge, por pasi ka marrë paratë është zhdukur dhe nuk ja ka bërë dokumentet.
Qytetarja, e cila për arsye sigurie ka zgjedhur të mbetet anonime, ka vënë në dispozicion të redaksisë një sërë mesazhesh ku Fisnik Syla i kërkonte shuma të mëdha parash, duke i garantuar se menjëherë pas pagesës do të merrte një letër nga komuna ku qyetarja ishte e vendosur në Belgjikë.
Në këto komunikime, Syla herë pas here i tregon qytetares se është i fuqishëm në atë shtet sa mundet që gjithë shtetin ta sjelli në majë të gishtit. “E sjell shtetin belg në majë të gishtit” thotë Syla, duke pretenduar se ka ndikim të madh në autoritetet atje.
Madje, për ta trembur denoncuesen, ai i ka dërguar edhe një video ku shihet me para në dorë, duke i bërë shenjë me gisht që të heshtë. Kjo sjellje ka bërë që qytetarja të ketë frikë për veten dhe familjen e saj, prandaj nuk ka pranuar të japë një intervistë të drejtpërdrejtë. Por nëpërmjet videos ashtu siç edhe vetë Syla shprehet, ka dashur t’i tregojë qytetares se ai ka mjaftueshëm para, ndaj s’po ja ka kërkuar atë shumë për vete, por për personat që do i bëjnë dokumentet.
Gazetarët e Fiks Fare kontaktuan me Fisnik Sylën, duke e përballur me akuzat dhe duke i treguar emrin e qytetares, e cila mban edhe një deklaratë të shkruar e të firmosur mes saj dhe z. Syla. Ai mohoi ta njihte qytetaren, pavarësisht provave të shumta. Edhe kur iu përmendën mesazhet, audiot dhe videot, ai vazhdoi të mohojë çdo lidhje me rastin. “Unë nuk e njoh këtë familje, kjo është përgjigja ime” tha Syla.
Ndërkohë që kjo është e disata herë që Fisnik Syla akuzohet për mashtrime.
Top Channel