
Në vitin 2021, u arrestuan dy vëllezërit Andi dhe Mario Roshi nga Tirana pasi ushtronin aktivitetin kriminal në qendrat e masazhit.
Vëllezërit tutorë rekrutonin vajza për t’i punësuar si masazhatore dhe i detyronin të kryenin shërbime seksuale kundrejt pagesës dhe përfitimet i ndanin me njëri – tjetrin.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq vëllezërit M.R. dhe A.R. nën akuzë për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Nga hetimet prokuroria provoi se pasuritë e tyre, nuk justifikohen nga të ardhurat dhe dyshohet se rrjedhin nga veprimtaritë kriminale. Për këtë arsye me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u sekuestruan pasuritë e mëposhtme të cilat nuk justifikohen nga të ardhurat e ligjshme të siguruara ndër vite: ‘Njësi’, sipërfaqe 34m2; ‘Apartament’ me sipërfaqe 106.4 m2, rruga ‘Hoxha Tahsin’; ‘Post Parkimi’ me sipërfaqe 41.2 m2 në Tiranë; dhe tre automjeteve tip ‘Benz’, ‘Volkswagen’ dhe ‘Scoda Octava’.
Top Channel