
Moti i keq ka mbërthyer prej ditësh Gjirin e Durrësit, duke mbajtur anijet e peshkimit të ankoruara në port.
Por, për peshkatarët, kjo nuk është kohë pushimi. Ata e shfrytëzojnë këtë periudhë për riparime të ndryshme.
“Bëjmë riparimet e anijes, ndërrojmë ndonjë copë që është kalbur, kur të rregullohet koha jemi gati për të peshkuar“, shpjegon peshkatari Arben Kume.
Me 42 vite përvojë, Arben Kume e njeh mirë peshkimin dhe sfidat e tij. Moti i keq shpesh sjell humbje, por puna nuk ndalet as në tokë. Përgatitja është po aq e rëndësishme sa dhe dalja në det.
“Jam shumë orë në det, larg familjes. Ndodhin të papritura në det“, thotë Kume.
Peshkimi po vuan mungesën e profesionistëve vendas. Shumica e punëtorëve në këtë sektor janë të huaj, kryesisht egjiptianë. Komunikimi mes tyre është i vështirë, por i domosdoshëm.
“Ka shumë pak peshkatarë vendas, kanë ngelur 30-40. Pjesa tjetër, janë të gjithë të huaj“, tregon Kume.
Moti pritet të përmirësohet në fundjavë. Deri atëherë, peshkatarët do të vijojnë punën në tokë. Peshkimi mbetet burimi i vetëm i të ardhurave për ta. Dhe pse shumë i rëndësishëm për ekonominë vendase, interesi për këtë profesion është i pakët tek të rinjtë.
Top Channel