Vëllezërit Tate kthehen në Rumani për t’u përballur me akuzat për trafikim

22/03/2025 16:28

Vëllezërit kontrovers, Andrew dhe Tristan Tate, janë kthyer në Rumani nga Shtetet e Bashkuara, teksa po akuzohen nga autoritetet rumune për trafikim me qenie njerëzore dhe krime të tjera.

“Ne kemi ardhur këtu për të dëshmuar pafajësinë tonë sepse e meritojmë që ta kemi ditën tonë në gjykatë”, tha Andrew Tate para gazetarëve më 22 mars jashtë shtëpisë së tij në Voluntari, afër Bukureshtit.

Vëllezërit, që kanë pasaporta britanike dhe amerikane, përballen me disa akuza në Rumani, përfshirë trafikimin me qenie njerëzore dhe krijimin e një grupit të organizuar kriminal. Andrew Tate akuzohet edhe për përdhunim.

Sipas prokurorëve, ata kishin rekrutuar disa gra dhe i kishin detyruar që të krijonin përmbajtje pornografike, nga e cila përmbajtje ata kishin fituar shuma të mëdha parash. Dy vëllezërit i mohojnë akuzat.

Edhe pse janë nën “kontrollin gjyqësor”, që nënkupton se rregullisht duhet të raportojnë para autoriteteve, Rumania hoqi ndalesën e udhëtimit në shkurt, që deri atëherë ua kishte pamundësuar largimin nga shteti. Më 27 shkurt, vëllezërit udhëtuan për në Florida.

Tani ata janë kthyer në Rumani dhe që të dy janë ftuar që të paraqiten në stacionin policor në Voluntari më 24 mars, një obligim që ata duhet ta kryejnë, sipas procedurave të kontrollit gjyqësor.

“Na janë kthyer pasaportat. Ne jetojmë në Rumani, ne e duam Rumaninë. Ne kurrë nuk do të largohemi nga Rumania. Ne kemi një shtëpi në Rumani, kemi fëmijë rumunë”, tha Tate, sipas Ştirileprotv.

Ai insistoi se që të dy, të cilët po hetohen se kanë krijuar një grup të organizuar kriminal, për trafikim të qenieve njerëzore, përfshirë të mitur, përdhunim dhe pastrim parash, “asnjëherë nuk është dashur të shkojmë në burg” dhe se “asetet tona nuk duhet të jenë të konfiskuara”.

Në dhjetor, gjykata e apelit në Rumani tha se rasti për trafikim ndaj vëllezërve Tate nuk duhet të shkojë në gjykim pasi kishte pasur disa parregullsi ligjore dhe procedurale nga prokurorët. Rasti që atëherë është kthyer te prokurorët dhe vazhdon të jetë i hapur.

Andrew Tate, 38 vjeç, u tha gazetarëve më 22 mars se ai dhe Tristani, 36 vjeç, u kthyen në Rumani “për të pastruar emrat tanë dhe për t’u shfajësuar”.

Para se të arrinte në Voluntari, ai shkroi në X, ku ka pothuajse 10.8 milionë ndjekës, se kishte shpenzuar 185.000 dollarë vetëm për të nënshkruar një letër në Rumani. “Të pafajshmit nuk ikin”, shkroi ai, duke postuar një fotografi me të vëllain në një avion privat.

Përveç akuzave që përballen në Rumani, vëllezërit po ashtu po hetohen në Mbretërinë e Bashkuar lidhur me pretendimet për përdhunim dhe trafikim me qenie njerëzore.

Në SHBA, vëllezërit Tate përballen me një padi civile të ngritur nga një grua e cila ka thënë se është detyruar që të bëhej punëtore seksi dhe se vëllezërit Tate shpifën ndaj saj pasi ajo iu dha prova prokurorëve rumunë.

Vëllezërit Tate po ashtu përballen me akuza për shmangie të tatimeve në Mbretërinë e Bashkuar. Ata i mohojnë edhe këto akuza./ REL

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta