
Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, jep detaje nga seanca me dyer të mbyllura ndaj dy kushërinjve Krrashi, njëri nën akuzë për aksidentin dhe tjetri për largim nga vendi i ngjarjes të autorit.
Teksa që të dy u lanë nën arrest në burg , Aleksandër Krrashi ka thënë ” u kërkoj ndjesë familjarëve”, e më tej ka shpjeguar se ishte punësuar prej dy muajsh nga administratori i firmës Saimir Hoxha.
“Nuk kam patentë”, tha i riu për drejtimin e betonierës, por “kam patentë të kategorisë tjetër”.
“Sa dola në rrugë dëgjova një përplasje të fortë” ka shpjeguar më tej duke shtuar se po drejtohej drejt një pike për ta mbushur me karburant.
Menjëherë pas aksidentit tragjik ai ka telefonuar kushëriri Valentin Krrashi i cili ka mbërritur me një betoniere të dytë. “U munduam të fiknim zjarrin me betoniere por zjarri ishte i fuqishëm”, ka thënë i dyshuari i dytë, raporton Anila Hoxha.
Pasi gjithçka ka qenë e pamundur, ata janë larguar nga skena e aksidentit.
Prokurori Arbër Berexha theksoi se i dyshuari nuk kishte patentë për drejtimin e betonieres dhe se as makina e tonazhit të rëndë nuk kishte dokumente. Një ekspertizë tjetër do të përcaktojë gjendjen teknike të mjetit nëse betonierja është fikur befas apo thjesht nuk janë respektuar rregullat e qarkullimit rrugor.
Ndërkohë qe ekspertët e policisë rrugore kanë referuar në fashikull se katër të rinjtë qe humbën jetë tragjikisht po udhëtonin me 160 km në orë kur u përplasën me betonierën.
Ndërsa detyrim paraqitje u la një i tretë i identifikuar si Danjel Koxha i cili është menaxher i formës Hel Jon ku punonin dy kushërinjtë Krrashi.
Top Channel