PS, pension 200 euro/ Socialistët shpalosin programin! Në 2030, eksportues neto të energjisë, tkurrjen me 2.8% të papunësisë

22/03/2025 19:46

Dhe pak javë na ndajnë nga zgjedhjet e 11 majit, ndërsa partitë po parashtrojnë edhe ofertën e tyre ekonomike.

Në platformën programore “Shqipëria 2030,” Partia Socialiste premton se fundi i mandatit të tyre të katërt do ta gjejë Shqipërinë me pension minimal 200 euro, dyfishin e atij që është sot.

Jo vetëm tek pensionet, PS parashikon të ndalet në disa sektorë.

Me ambicien për rritje të qëndrueshme ekonomike në afro 4% gjatë këtij pesëvjeçari, me pritshmëritë për fluks turistësh e investimesh, qeveria në programin e saj premton pagë mesatare 1000 euro në vitin 2030, nga 850 euro që është aktualisht. Kurse paga mesatare në sektorin publik, nga 1000 euro, do të rritet në 1300 euro në vitin 2030.

Jashtë kësaj platforme nuk mbeten as taksat. Teksa sipas PS, biznesi i vogël do të vijojë të jetë i përjashtuar nga TVSH-ja dhe tatimi mbi fitimin.

Sektorët që preken në platformën e Partisë Socialiste janë edhe energjia, ujësjellësit, si dhe rimbursimi i ilaçeve.

Për energjinë, plani është që brenda 2030, vendi të jetë eksportues neto i energjisë, ndërsa do të shtohen parqet fotovoltaike dhe eolike. Tek uji, vijon premtimi i kahershëm për furnizim 24 orë, ndërsa në një bilanc do të bëhet në shëndetësi për medikamentet sa ishin, sa janë dhe sa do të ulen çmimet e ilaçeve të rimbursueshme.

Përtej masave që janë marrë deri më tani, PS premton se më shumë vëmendje do të shkojë edhe në drejtim të bujqësisë, mbrojtjes, si dhe infrastrukturës në vend.

Me marrjen e një sërë reformash të tilla, socialistët synojnë tkurrjen me 2.8% të papunësisë në vend nga 8.8% që u mbyll viti 2024.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta