Protesta në Turqi për arrestimin e kryebashkiakut të Stambollit, policia arreston mbi 300 përsona

22/03/2025 18:49

Autoritetet turke kanë arrestuar 343 persona në protestat e mbajtura gjatë natës në disa qytete, demonstrata të organizuara kundër arrestimit të kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu, tha Ministria e Brendshme më 22 mars.

Protestat u mbajtën në dhjetëra qytete, përfshirë në qytetin më të madh të Turqisë, Stamboll, dhe në kryeqytet, Ankara, tha Ministria përmes një njoftimi.

Në njoftim u tha se arrestimet u kryen për të parandaluar “prishjen e rendit publik” dhe u paralajmërua se autoritetet nuk do të tolerojnë “kaos dhe provokim”.

Dhjetëra mijëra turq po protestojnë, kryesisht në mënyrë paqësore, që nga e mërkura, kur Imamoglu u arrestua nën akuzat për korrupsion dhe ndihmë ndaj një grupi terrorist.

Ai është rivali kryesor politik i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Partia e kryetarit të Stambollit, Partia Popullore Republikane (CHP) – subjekti kryesor opozitar – e ka dënuar arrestimin e tij, duke e cilësuar si të motivuar politikisht dhe u ka bërë thirrje mbështetësve që të protestojnë në mënyrë të ligjshme.

Imamoglut, 54 vjeç, u arrestua derisa CHP-ja po përgatitej për ta shpallur atë kandidat presidencial të dielën. Partia u ka kërkuar njerëzve jashtë partisë të votojnë për të në kutitë e votimit të vendosura në të gjithë vendin, si shenjë e rezistencës publike.

Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Turqi duhet të mbahen më 2028, por Erdogan, 71 vjeç, mund të shpallë zgjedhje të parakohshme për ta shmangur kufizimin prej dy mandatesh, nëse vendos të garojë përsëri.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta