
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha se “CHP-ja është bërë loja jo vetëm e hajdutëve, por edhe e organizatave të majta”.
“Qindra mijëra të rinj janë mashtruar dhe shumë pisllëqe po shpërndahen përtej kufijve të logjikës, ndërgjegjes dhe moralit. Topa parash, dollarësh dhe eurosh po derdhen majtas e djathtas. Por kryetari i CHP-së dhe shokët e tij nuk mund t’i përgjigjen asnjërës. Ata nuk mund të qëndrojnë para popullit dhe të thonë: “Nuk ka mashtrim, vjedhje, korrupsion, favorizim.
Ata nuk mund të garantojnë për kryetarët e tyre, për administratorët e tyre komunalë, për miqtë e tyre me të cilët kanë bërë biznes dhe kanë udhëtuar së bashku për vite me radhë. Në vend që të dalin dhe t’u përgjigjen ankesave si luanë, ata po përpiqen të shtypin krimin duke na sulmuar, duke u fshehur pas rinisë, duke vënë përpara organizata të majta”, tha ai.
“Sido që të bëjë opozita, ne kurrë nuk do ta braktisim mendjen, durimin dhe gjakftohtësinë. Komunat tona nuk do të favorizojnë korrupsionin, komunat tona nuk do të favorizojnë padrejtësinë. Komunat tona do t’i shërbejnë popullit të tyre duke ditur se çfarë është e drejtë, çfarë është e vërtetë”, Erdogan.
“Ka katër ditë që po bëjnë gjithçka në emër të prishjes së qetësisë së kombit dhe polarizimit të popullit tonë. Nga ofendimi i të gjithëve përballë tyre deri te sulmet ndaj policëve tanë që thjesht po kryejnë detyrën, nga intimidimi i punonjësve tanë të drejtësisë që hetojnë akuzat për korrupsion e deri te shtypja e vullnetit kombëtar me terrorizëm në rrugë”, tha ai.
“Sot zbuluan se në çfarë gjendjeje mendore janë duke kërcënuar publikisht mediat, madje duke dhënë edhe emra televizionesh. Po përpiqen në çdo mënyrë të krijojnë një atmosferë tensioni dhe kaosi në qytetet tona, veçanërisht në Stamboll”, tha presidenti turk.
“Ne mund ta shohim shumë qartë se në administratën aktuale, CHP është kthyer në një mekanizëm që pastron paratë e një grushti grabitësish bashkiakë, grabitqarë parash, jo një parti që çon në Parlament kërkesat e votuesve të saj. Rrjetet e interesit që përfitojnë nga bashkitë e kanë futur CHP-në në pisllëk, ndryshk, baltë, korrupsion dhe paligjshmëri”, argumentoi ai.
“Tashmë është e qartë se CHP nuk mund të rifitojë reputacionin e saj politik apo identitetin e saj si parti politike nëse nuk pastrohet nga këta hajdutë dhe grabitës që e kanë mbështjellë si dredhkë helmuese. Sepse në politikë nderi, dinjiteti dhe besimi janë virtyte që, pasi humben, nuk mund të zëvendësohen lehtë”, përfundoi Erdogan.
Top Channel