
Kryetari i Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, i cili u arrestua të mërkurën me akuzat për “korrupsion” dhe “terrorizëm”, ka paraqitur një ankesë në polici për akuzat “imorale dhe të pabaza”, sipas një deklarate të lëshuar nga bashkia e qytetit.
“Akuzat imorale dhe të pabaza kundër meje, nga raportet e sajuara deri te afatet kohore të hetimeve, synojnë të minojnë reputacionin dhe besueshmërinë time”, tha kryebashkiaku, sipas deklaratës.
Kryebashkiaku i Stambollit mbërriti në gjykatë sot për t’u paraqitur para prokurorit, katër ditë pas arrestimit të tij, i cili ka shkaktuar një valë protestash në të gjithë Turqinë.
Imamoglu, një figurë kryesore e opozitës, mbërriti në të njëjtën kohë me 89 bashkë të pandehur, të cilët po udhëtonin me katërmbëdhjetë furgona, sipas Agence France-Presse.
Pavarësisht kufizimeve në akses, më shumë se pesëqind njerëz ishin mbledhur në vendngjarje për të mbështetur Ekrem Imamoglu.
Imamoglu, 53 vjeç, kundërshtari kryesor politik i presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, i cili u arrestua në orët e para të së mërkurës në shtëpinë e tij, tashmë ishte marrë në pyetje për pesë orë më parë nga policia me akuzën për “mbështetje të një organizate terroriste”, ndërsa ishte marrë në pyetje një ditë më parë me dyshimin për “korrupsion”.
“Ashtu si njerëzit dolën në rrugë për të mbështetur Erdoganin gjatë grushtit të shtetit të tentuar të 15 korrikut (2016), ne po dalim në rrugë për të mbështetur Imamoglun”, tha 30-vjeçari Aykut Cenk për AFP.
“Ne nuk jemi armiq të shtetit, por kjo që po ndodh është e paligjshme”, shtoi ai duke ngritur flamurin turk.
Qeveria e Stambollit ndaloi demonstratat në qytet nga e mërkura deri të dielën, por për të katërtën natë radhazi, opozita u bëri thirrje qytetarëve që të mblidhen sonte pranë selisë së bashkisë së Stambollit.
Demonstrata janë paralajmëruar në shumë qytete të tjera të vendit, si dhe në Izmir dhe kryeqytetin Ankara, ku autoritetet kanë ndaluar çdo tubim.
Në total, tubime janë mbajtur në të paktën 55 nga 81 provincat e Turqisë që nga e mërkura, më shumë se dy të tretat e vendit.
Top Channel