Nga nderimi i babait te takimi me familjarët, Hashim Thaçi do të qëndrojë dy ditë në Kosovë! Vizita emocionuese në shtëpinë e tij në Burojë

21/03/2025 15:36

Nën përcjelljen e forcave policore, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi erdhi përsëri në Kosovë.

Ndalesa e parë ishte varri i babait të tij që ndërroi jetë pesë ditë më parë. I emocionuar, ai vendosi lule dhe u përul pranë varrit.

Te varri yt, erdha i fundit babë“, ishte kujtimi i Hashim Thaçit që la mbi varrin e të atit, të cilit nuk ia dha lamtumirën e fundit, pasi Gjykata Speciale nuk i dha leje.

Para meje erdhën mijëra qytetarë. Së shpejti dorë më dorë do t’i falenderoj të gjithë“, vazhdon mesazhi i ish-presidentit që la mbi varrin e babait.

Dhomat e Specializuara i kanë mundësuar një vizitë dy ditore Hashim Thaçit, i cili të premten, nga varrezat e fshatit të lindjes u ndal në shtëpinë e tij, ku takoi nënën e gruan.

Pas tre orësh qëndrimi në shtëpinë në Buroj, Thaçi nën përcjelljen e forcave të EULEX-it e Policisë së Kosovës u nis në selinë e misionit evropian ligjzbatues, ku do të qëndrojë deri të shtunën.

Në ditën e dytë, ish-presidentit i është mundësuar të takojë familjarët e tjerë.

Hashim Thaçi kishe kërkuar leje të përkohshme nga Dhomat e Specializuara për të marrë pjesë në varrimin e të atit më 18 mars, por një gjë e tillë u pamundësua.

Ai takoi të atin e sëmurë në spital, tre ditë para se të vdiste. Haxhi Thaçi, babai i Hashim Thaçit ndërroi jetë më 16 mars.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta