
Pak më shumë se një muaj pasi i kishte deleguar detyrat e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristanit, Erion Veliaj ka ndryshuar mendje dy ditë më parë dhe ka firmosur një tjetër letër.
Në 18 mars, nga qelia e burgut të Durrësit ku ndodhet me masën “arrest me burg”, Veliaj ka firmosur urdhrin me numër 582 për t’ia deleguar punët e bashkisë nënkrytares tjetër të këtij institucioni Sara Goxhajt.
“Urdhëroj: znj. Sara Goxhaj nënkryetare e Bashkisë së Tiranës, të kryejë përkohësisht edhe detyrat e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Periudha e ushtrimit të kompetencave të deleguara, fillon në datë 19.03.2025 deri në një urdhër të dytë. Urdhri nr 366, date 14.02.2025 ‘për delegimin e përkohshëm të detyrave të Bashkisë së Tiranës’, shfuqizohet’”, thuhet në urdhrin e firmosur nga Veliaj dhe që është protokolluar me numër 11273.
Sara Goxhaj ka qenë më parë shefe kabineti e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, përpara se të emërohej në detyrën e nënkryetares së Bashkisë.
Veliaj përcaktonte gjithashtu që sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë, Alban Dokushi të ngarkohej me zbatimin e urdhrit.
Por këto lëvizje nuk kanë marrë miratimin e kryeministrit Edi Rama, i cili mbrëmë në një vizitë në Bashk, ka zhbërë gjithçka.
Burimet bëjnë të ditur se ai i ka kërkuar Protokollit që të mos protokollojë urdhrin e nxjerrë nga Veliaj për marrjen e detyrave të kryetarit të Bashkisë nga Sara Goxhaj, duke e larguar këtë të fundit nga pozicioni si dhe ka konfirmuar në detyrë Anuela Ristanin.
Pas burgosjes së Veliaj, Rama dhe Anuela Ristani, kanë qenë së bashku në disa inspektime dhe inaugurime të punëve të Tiranës.
Top Channel