
Më 18 mars, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia avancuan bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
Palët nënshkruan deklaratën e përbashkët me anë të së cilës synohet të rritet ndërveprueshmëria mes ushtrive përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta, të luftohen kërcënimet hibride si dhe të koordinohen politikat për integrime euroatlantike.
Njohësit thonë se një aleancë e tillë është thellim i bashkëpunimit që vjen për shkak të rrethanave gjeopolitike dhe kërcënimeve ndaj demokracisë.
“Këto aleanca ose marrëveshje në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë janë si reagim ose reflektim i ndryshimeve të mëdha gjeopolitike që po ndodhin në botë, i kërcënimeve në rritje që i kanosen shteteve dhe rajonit”-shprehet Skender Perteshi – ekspert i sigurisë.
Si partnerë strategjikë të Kosovës, Kroacia dhe Shqipëria do të mund të ndihmonin në integrimin euroatlantik me theks të veçantë anëtarësimin në NATO.
“Thellon bashkëpunimin në fushën e mbështetjen e njërës dhe tjetrit vend në procesin e integrimeve euroatlantike me theks të veçantë e mbështesin Kosovën në integrimet rajonale të sigurisë dhe mbrojtjes dhe në NATO”.
Sipas njohësve të sigurisë, një aleancë e tillë nuk paraqet kërcënim për asnjërin prej shteteve të rajonit.
“Si marrëveshje ose aleancë joformale, nuk mendoj që është kërcënim për Serbinë, është më shumë një koordinim më i thellë ushtarak që i forcon vlerat perëndimore dhe të NATO-s”.
Ndërkohë njohësit shtojnë se kjo deklaratë e nënshkruar mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk nënkupton reagim ushtarak në rast se ndonjëri prej vendeve ballafaqohet me sulm.
“Si marrëveshje e tillë nuk i garanton njëra tjetrës që në rast të sulmit të këtyre tre vendeve njëra do të ndihmojë ushtarakisht ose do të intervenojë, por më shumë është një lloj garantimi që kjo deklaratë në çfarëdo situate të krizave që përballet njëra prej të tria shteteve mund të ketë një bashkëpunim ose mbështetje më të madhe”.
Mes tjerash kjo deklaratë e nënshkruan synon po ashtu bashkëpunimin në prodhimtarinë e industrisë së mbrojtjes.
Qeveria e Kosovës një javë më parë ka miratuar nismën për lidhje të Marrëveshje Kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Top Channel