Dyshohet se kreu krime me forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, ngrihet aktakuzë ndaj një shtetasi shqiptar

19/03/2025 15:27

Prokuroria Speciale në Kosovë ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit M.I, i nacionalitetit shqiptar, nën dyshimet se ka kryer veprën penale, “krim i luftës kundër popullatës civile” në bashkëpunim me pjesëtarë të forcave policore serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Prokuroria, i pandehuri është thënë se ka kryer veprën për të cilën ngarkohet – përfshirë vrasje, dhunime, arrestime e keqtrajtime të popullsisë shqiptare – në periudhën 1998-1999 në fshatin Osek Hylë të Komunës së Gjakovës.

Gjykimi është propozuar të mbahet në mungesë, meqë i pandehuri gjendet në arrati.

Gjykimi në mungesë, sipas sistemit të drejtësisë në Kosovë, mund të zhvillohet vetëm me kusht që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për ta siguruar praninë e të akuzuarit.

Më 26 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 15 vjet burgim Çedomir Aksiqin, për akuzën krime lufte kundër popullsisë civile, të kryera nga janari deri në maj të vitit 1999 në territorin e komunës së Shtimes, përkatësisht në fshatrat Reçak, Malopolc dhe Petrovë.

Ky është vendimi i parë për krime lufte i marrë në mungesë, bazuar në Kodin e ndryshuar të Procedurës Penale të vitit 2022./ REL

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta