
Është qëlluar gjatë natës me breshëri plumbash kompania farmaceutike CFO Pharma, e cila ndodhet në autostradën Tiranë Durrës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 2 të mëngjesit por është raportuar në drejtorinë vendore të policisë së Tiranës në orën 8 të së martës.
Fatmirësisht nga të shtënat nuk pati pesona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Në fasadën e biznesit kanë mbetur mbi 30 shenja plumbash, në katet e sipërme të saj.
Dyshohet se ishin dy persona që kanë qëlluar në drejtim të biznesit, njëri në rolin e shoferit dhe tjetri qitësi.
Pasi kanë shtënë nga xhami i automjetit teksa ishin në lëvizje, dyshohet se autorët janë larguar në drejtim të Vorës.
Lëvizjet e tyre janë kapur edhe kamerat e sigurisë të cilat janë sekuestruar për funksion të hetimit.
Në pyetje janë marrë punonjësit e sigurisë të kësaj kompanie por edhe drejtuesit e saj, ndërsa është e paqartë se në çfarë piste janë shtrirë hetimet.
Lidhur me ngjarjen është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës që po mbledh provat dhe dëshmitë për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Top Channel