
Kryetari i Komunës së Koçanit, Lupço Papazov, ka dhënë dorëheqjen pas tragjedisë së një dite më parë, kur 59 persona humbën jetën e 155 të tjerë u lënduan nga zjarri që shpërtheu në një klub nate për shkak te mjeteve piroteknike të përdorura aty.
Papazov theksoi se kërkon nga të gjitha institucionet kompetente që të hetojnë përgjegjësinë e të gjithë të përfshirëve, duke nënvizuar ne letrën e tij të dorëheqjes se mosveprimi është gjithashtu përgjegjësi.
Thirrje për protestë janë përhapur në rrjetet sociale, ku indinjata për ngjarjen e rëndë është shoqëruar me kërkesën për ndryshime konkrete.
“Kjo protestë është shprehje e dhimbjes dhe revoltës së thellë për jetët e humbura, por edhe për gjendjen në të cilën ndodhemi si shoqëri. Ne nuk mund t’i kthejmë bashkëqytetarët tanë të dashur, por jemi të detyruar të luftojmë për nder të tyre dhe ta ndryshojmë këtë sistem joefikas që nuk na ofron siguri, mirëqenie dhe drejtësi”, thuhet në një postim në Facebook.
“Do të luftojmë për qytet pa punësime partiake, për institucionet që funksionojnë, për polici që është këtu për ne, për shërbime inspektimi që do të kryejnë detyrën, për hapësirat publike që do të jenë të sigurta dhe të pastra. Protesta është për drejtësi, për secilin prej nesh, për çdo viktimë që kemi humbur dhe për të gjithë ne që jetojmë çdo ditë këtë qytet”, nënvizohet më tej.
Kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski pohoi më herët se ekzistojnë dyshime që kompania në qendër të tragjedisë ka pasur dy licenca, njëra prej të cilave ka qenë e falsifikuar dhe në bazë të saj ka vazhduar të veprojë si diskotekë. Mickoski premtoi se përgjegjësit për ngjarjen e rëndë, do të identifikohen publikisht.
“Ka dyshime se kompania ka vepruar me licencë të falsifikuar nga drejtuesit e shkuar të Ministrisë së Ekonomisë. Për këtë duhet të ketë përgjegjësi, me emër e mbiemër”, deklaroi Mickoski.
I pyetur nga gazetarët për më shumë detaje, kreu i ekzekutivit maqedonas e drejtoi gishtin tek ish sekretarja e Ministrisë së Ekonomisë, Razmena Çekic, duke theksuar se ky rast nuk ka qenë i vetmi. Më shumë se 20 prej të lënduarve dhe tre të vdekur janë nën moshën 18-vjeçare, sipas ministrit të Brendshëm, Pançe Toshkovski.
Disa pacientë u dërguan për mjekim në Bullgari, Serbi dhe Greqi. Zjarri në diskotekën “Pulse” të Kocanit renditet si një prej tragjedive me numrin më të madh të viktimave në historinë modern të Maqedonisë së Veriut.
Top Channel