Kanadaja dhe Franca bëhen bashkë kundër Trump, kryeministri kanadez nis turin europian: Po forcojmë lidhjet me aleatë të besueshëm

17/03/2025 16:14

Kanadaja është “më europiania nga vendet jo-europiane”, ka thënë Mark Carney gjatë udhëtimit të tij të parë jashtë vendit si kryeministër në Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar, ku ai po kërkon aleanca më të forta për t’u përballur me sulmet e Donald Trump ndaj sovranitetit dhe ekonomisë së vendit të tij.

Pa e përmendur Trump me emër, Carney dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp në Paris për të treguar një qëndrim të bashkuar kundër asaj që ata e cilësuan si kriza ekonomike dhe gjeopolitike – një referencë për luftën tregtare të Trump dhe diplomacinë “America First”, e cila ka lënë aleatët e vjetër në pasiguri, raporton The Guardian.

Kanadaja është një mike unike“, tha Macron, duke shtuar se tregtia e ndershme është më efektive se tarifat. Carney foli në frëngjisht dhe anglisht dhe theksoi se ishte e rëndësishme që Kanadaja të forconte lidhjet me “aleatë të besueshëm”.

Dua të sigurohem që Franca dhe e gjithë Evropa të punojnë me entuziazëm me Kanadanë, vendin më evropian nga vendet jo-evropiane, i vendosur si ju për të mbajtur marrëdhënie sa më pozitive të jetë e mundur me Shtetet e Bashkuara”, tha ai.

Një zyrtar i lartë i qeverisë kanadeze, i cili informoi gazetarët në avionin e Carney-t, tha se qëllimi i udhëtimit ishte forcimi i partneriteteve me dy vendet themeluese të Kanadasë. Zyrtari tha se Kanadaja ishte një “mike e mirë e Shteteve të Bashkuara, por të gjithë e dimë se çfarë po ndodh”.

Carney po e bën qëllimisht udhëtimin e tij të parë jashtë vendit në kryeqytetet e dy vendeve që formësuan ekzistencën e hershme të Kanadasë. Gjatë ceremonisë së betimit të premten, ai vuri në dukje se vendi ishte ndërtuar mbi themelet e tre popujve: autoktonëve, francezëve dhe britanikëve.

Ai tha se Kanadaja ishte rrënjësisht e ndryshme nga SHBA-ja dhe se “kurrë, në asnjë mënyrë apo formë, nuk do të jetë pjesë e Shteteve të Bashkuara”.

Nelson Wiseman, profesor emeritus në Universitetin e Torontos, tha: “Faktori Trump është arsyeja e këtij udhëtimi. Faktori Trump e tejkalon çdo gjë tjetër me të cilën duhet të merret Carney“.

Carney, një ish-banker qendror që mbushi 60 vjeç të dielën, do të udhëtojë më vonë në Londër për t’u takuar me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, në një përpjekje për të diversifikuar tregtinë dhe për të koordinuar një përgjigje ndaj tarifave të Trump.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta