
Kombëtarja kuqezi, nga kjo fundjavë, nis zyrtarisht përgatitjet për eliminatoret e Kampionatit Botëror, ku gjithçka për ne starton nga tempulli i futbollit botëror, jo vetëm anglez, Wembley, aty ku do të përballemi me skuadrën më të fortë të grupit, në letër dhe jo vetëm, Anglinë.
Një grumbullim jo si duhet apo si do të donte Sylvinho, me shumë lojtarë kryesorë, apo të formacionit të suksesshëm deri tani dhe që na çoi si të parët e grupit tonë në finalet e Europianit Gjermani 2024.
Dhimbja më e madhe për Sylvinhon fillon nga mbrojtja, ku sipas asaj që raporton gazetari i Top Channel, Endi Tufa, do të mungojnë Elseid Hysaj apo Mario Mitaj, i rikthyer në fushë këtë fundjavë, por që nuk do të jetë në formën e tij maksimale dhe është në dyshim për t’u aktivizuar. E njëjta gjë edhe për Ardian Ismajlin.
Kështu, reparti i mbrojtjes për Shqipërinë ka mbetur tek alternativa emergjente nga Dinamo, Naser Aliji, më pas vijon me Andi Hadroj, Ivan Balliu, Adrian Bajrami, Enea Mihaj, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti dhe Marash Kumbulla, i cili gjithashtu nuk ka qenë në formë optimale fizike.
Emri surprizë i këtij grumbullimi dhe më i bujshmi i ditëve të fundit pritet të jetë mesfushori Etnik Brruti, i larguar nga përfaqësuesja e moshave të Kosovës, direkt nën urdhrat e Sylvinhos. Ai do të jetë pjesë e listës prej 25 lojtarësh, ndërkohë që vetëm 23 do të jenë në fushë dhe pankinën e Wembley, pjesa e mbetur në tribunë. Gjithsesi, trajneri brazilian e ka grumbulluar për ta pasur si alternativë për ndeshjen me Anglinë, ndoshta, apo edhe për Andorrën më 24 mars.
Në tërësi, ky grumbullim nuk është aty ku duhej, pasi momenti i lojtarëve tanë të kombëtares nuk është aspak i mirë. Problemeve në mbrojtje u shtohen edhe ato në sulm, me mungesën e Brojës dhe gjendjen jo të mirë të Dakut, i cili është në prag të operimit dhe po aktivizohet me qetësues, apo Tuci gjithashtu jashtë liste.
Me Uzunin që gjithmonë e më pak do të preferohet nga Amerika e largët dhe me Rey Manajn të izoluar nga klubi dhe mjekët turq, pasi humbi ndjenjat rreth një javë më parë në kampionatin turk.
Kështu, shpresat e sulmit për këtë grumbullim mund të kenë një emër të ri, Kristian Shpendi.
E njëjta gjë ndodh me mesfushën, ku Asllani luan shumë pak, ndërsa Ramadani thuajse aspak, pas një periudhe të vështirë si lider i padiskutueshëm tek Lecce. E njëjta gjë edhe për Bajramin, që ka humbur busullën tek Rangers.
Megjithatë, asnjë ndeshje nuk konsiderohet e humbur apo e fituar pa u luajtur, dhe në futboll kemi parë të ndodhin gjithçka, edhe pse duhet të dimë se Anglia është kundërshtari ynë në këto eliminatore, jo rivali me të cilin duhet të matemi.
Top Channel