
Rusia tha të enjten se trupat e saj kanë dëbuar ushtrinë ukrainase nga qyteti më i madh i Kurskut, rajon i Rusisë në kufi me Ukrainën, që u mor nën kontroll nga ushtria ukrainase vitin kaluar.
Njoftimi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes se ushtria ka rimarrë kontrollin e Sudzhas, disa orë pasi presidenti Vladimir Putin vizitoi komandantët e ushtrisë në Kursk i veshur me uniformë, nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur. Zyrtarët ukrainas nuk kanë bërë komente mbi pretendimin rus.
Përparimi rus dhe vizita e Presidentit Putin në frontin e luftës, vijnë ndërsa Presidenti i SHBA Donald Trump po kërkon me këmbëngulje një fund diplomatik të luftës.
Trupat e ushtrisë ukrainase brenda Rusisë kanë qenë nën një trysni intensive për muaj të tërë mes një përpjekjeje të ripërtërirë nga forcat ruse, të mbështetura nga trupat e Koresë së Veriut.
Inkursioni i befasishëm i Ukrainës gushtin e kaluar, ishte më i madhi në territorin rus nga trupat e huaja, që nga Lufta e Dytë Botërore dhe e vuri në pozitë të vështirë Kremlinin.
Duke folur me komandantët e ushtrisë të mërkurën, Presidenti Putin tha se ai priste që forcat e tij “ta çlironin plotësisht rajonin e Kurskut nga armiku në të ardhmen më të afërt”.
Ai shtoi se në të ardhmen “është e nevojshme të mendohet për krijimin e një zone sigurie pranë kufirit shtetëror”, në një sinjal se Moska mund të përpiqet të zgjerojë kontrollin e saj territorial duke kapur pjesë të rajonit fqinj të Ukrainës, Sumy. Kjo ide mund të komplikojë një marrëveshje armëpushimi.
Kievi ka thënë se marrja e rajonit rus të Kurskut nën kontroll, synonte të siguronte një avantazh në negociatat e paqes dhe ta detyronte Rusinë të largonte trupat e saj nga Ukrainën lindore. Por inkursioni nuk e ndryshoi ndjeshëm dinamikën e luftës.
Instituti për Studimet e Luftës me bazë në Uashington, vlerësoi të mërkurën vonë se forcat ruse kishin marrë nën kontroll Sudzhan, një qytet pranë kufirit që më parë kishte 5,000 banorë.
Kreu i lartë ushtarak i Ukrainës, gjenerali Oleksandr Syrskyi, tha të mërkurën vonë se aviacioni rus kishte kryer një numër të paprecedentë sulmesh në Kursk dhe si rezultat Sudzha ishte shkatërruar pothuajse plotësisht.
Ai nuk komentoi nëse Ukraina e kishte ende nën kontroll zonën, por tha se po i “dërgon (trupat) në pozicione më të favorshme”. Ndërkohë, gjeneralmajor Dmytro Krasylnykov, kreu i Komandës Operative Veriore të Ukrainës, që përfshin rajonin e Kurskut tha të mërkurën se ishte shkarkuar nga posti. Ai tha për një media ukrainase se nuk iu dha një arsye për shkarkimin, duke shtuar: “Unë po hamendësoj, por nuk dua të flas ende për këtë temë.”
Top Channel