Begaj në Forumin Global Baku: Kemi nevojë për një rend botëror ku konfliktet zgjidhen, Shqipëria ka zgjedhur SHBA-në dhe BE-në pasi beson në vlerat euroatlantike

13/03/2025 14:15

Presidenti Bajram Begaj, zhvilloi sot një takim kokë më kokë me Presidentin e Azerbajxhanit, Azer Aliyev.

Ky takim u përqendrua në forcimin e marrëdhënieve intensive dypalëshe në vazhdën e shkëmbimit të vizitave të mëparshme zyrtare. Kreu i Shtetit vlerësoi si shumë të mirë bashkëpunimin politik midis dy vendeve, si dhe forcimin e marrëdhënieve ekonomike.

Energjia dhe turizmi mbeten prioritetet kryesore në këtë bashkëpunim, për të cilin Presidenti Begaj shprehu interesin e Shqipërisë për të avancuar me nismat që sjellin përfitime të prekshme për ekonomitë e dy vendeve.

Shqipëria, theksoi Presidenti Begaj vlerëson mbështetjen e vazhdueshme të Azerbajxhanit për projektet lokale që lidhen drejtpërdrejt me gazsjellësin TAP.

Pas takimit me Aliyev, Begaj mori pjesë në Forumin Global Baku 2025, ku foli për bashkëpunim aktiv rajonal e ndërkombëtar dhe për përballje me guxim me sfidat e sotme.

Bota sot nuk po përballet thjesht me një krizë politike apo një rënie ekonomike. Ajo sot gjendet në udhëkryqin e mbrojtjes së vlerave që ne çmojmë. Liria, demokracia, dinjiteti njerëzor, drejtësia dhe siguria po vihen në provë. Ato po testohen nga konfliktet, nga kërcënimet hibride, nga krimi i organizuar, nga imigracioni, nga keqinformimi, nga tundimi për t’u imponuar me forcë e nëpërmjet frikës. Kur frika triumfon mbi guximin, kur ndarja zëvendëson unitetin, kur forca tenton të shtypë të drejtën, atëherë qytetërimi dhe shoqëria dështon. Momentet e krizës janë, gjithashtu, momente sfidash dhe mundësish të reja.

Sfidat e rendit ndërkombëtar, lufta në Ukrainë apo konflikte të tjera, kanë cenuar ndjeshëm sigurinë. Në një botë të ndërveprimit kontinental dhe global, nevoja për rikthimin e paqes është e rëndësishme, por më e rëndësishme mbetet pacenueshmëria e kufijve dhe paprekshmëria e sovranitetit të shteteve.

Sfidat kombëtare për luftën ndaj krimit të organizuar dhe kërcënimeve hibride janë të vështira për t’u kapërcyer kur nuk ka bashkëpunim aktiv dhe të pandërprerë rajonal e ndërkombëtar.

Vala e imigrimit të paligjshëm drejt Evropës na mësoi se kontrolli i kufirit nuk është më i mjaftueshëm nëse nuk adresohet shkaku dhe parandalohet i gjithë mekanizmi. Përvoja me menaxhimin e pandemisë COVID 19 na mësoi se rrugëzgjidhja më efektive mbetet unifikimi i mekanizmit reagues, si dhe investimi afatgjatë në shkencë e teknologji.

Ne duhet t’i mirëpresim, t’i mbështesim e inkurajojmë zhvillimet teknologjike dhe inteligjencën artificiale.

Ato janë mjete për fuqizimin e individëve, komuniteteve e popujve dhe jo për të penguar zhvillimin e tyre.

Bota që kemi sot, më e avancuara teknologjikisht dhe më e ndërlidhura në histori, nuk u ndërtua në kohë të lehta. Ajo u formësua përmes sfidave.

Ne kemi nevojë për guxim dhe vizion të qartë për paqen, për sigurinë, për rritjen ekonomike, për politika që ndryshojnë realisht jetët e qytetarëve tanë.

Ne kemi nevojë për një rend botëror ku ekonomitë janë të qëndrueshme, ku konfliktet nuk mbahen të ngrira, por zgjidhen, ku shoqëritë forcohen jo nga ndarja, por nga solidariteti, ku paqja ndërtohet e konsolidohet mbi baza besimi e bashkëpunimi.

Eksperienca e vendit tim është dëshmi e një rrugëtimi të vështirë. Shqipëria ka kaluar një rrugëtim të vështirë: nga totalitarizmi, në demokraci; nga pasiguria, në anëtarësimin në NATO; nga një ekonomi e mbyllur, në ekonominë e tregut të lirë; nga një vend i izoluar, në një vend me rreth 10 milionë turistë në vitin që shkoi dhe aspirant për në Bashkimin Evropian. Shqipëria ka zgjedhur demokracinë dhe beson fort në vlerat e saj.

Shqipëria ka zgjedhur Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi beson fort në vlerat Euroatlantike, ka zgjedhur Bashkimin Evropian dhe beson në këtë projekt madhor në shërbim të paqes, sigurisë e mirëqenies. Shqipëria bashkëkohore ka ditur të përbashkojë energjinë e shqiptarëve brenda e jashtë vendit për kthimin e sfidave në mundësi. Shqipëria beson fort në fuqinë e bashkëpunimit, në fuqinë e dialogut dhe në mundësitë e reja që ato sjellin“, tha Begaj.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta