
Kreu i demokratëve Sali Berisha ka folur për zgjedhjet e kandidatëve të PD-së, për zgjedhjet e 11 majit.
“Në këtë rast, dua t’u them dy momente. A është e drejtë kjo listë që na e imponon ose e shpiku në vitin 2021 Edi Rama? Jo, nuk është e drejtë. Ua them unë. Ndërhyrja e bërë, bëri një gjë. Në qoftë se në të parën, për të kaluar rubikonin duhej të merrje 10 mijë vota, tani jo. Tani vendet e lira që mbeten, i merr ai që merr më shumë vota.
Pra, për pjesën e hapur është bërë më e drejtë. Por përsëri duhet të ishte më e hapur, por këtë ne në dorë nuk e kishim.
Në këtë aspekt janë ndjekur parime në çdo qark, përveç Gjirokastrës dhe Kukësit, janë dërguar përfaqësues nga aleatët, 4 janë në Tiranë dhe 4 në qarqet e mëdha, por në çdo rast është mbajtur parasysh që kryetari dhe aleati të mos jenë më shumë se 40 përqind e listës së mbyllur. 60 përqind të lihet lokalisht deri në 80 përqind sipas rastit. Lista e hapur është bërë me më të shquarit e komunitetit, e qarkut, e rrethit dhe janë pasqyruar. Tani, e fundit që dua ta them këtu, kjo është një betejë.
Unë e di, shumë normale që ata që kanë pritur të jenë në listë të mbyllur, por kanë mbetur në listë të hapur, të jenë të mërzitur, të jenë zemërthyer. Unë u garantoj se secili prej tyre do të doja të ishte në listë të mbyllur, por ajo aq merr.
Nga ana tjetër, ajo që dua të rikujtoj këtu, një fushatë elektorale dhe një zgjedhje janë një betejë në luftën e gjatë të një politikani apo politikaneje, i cili duhet të qëndrojë i pamposhtur në betejë.
Duhet në radhë të parë në respekt të investimit që ka bërë gjer në atë moment. Në radhë të dytë në interesin më të mirë të PD-së dhe karrierës së tij. Ndaj dhe jam i bindur se njerëz të parimeve dhe idealeve, pavarësisht nga pozicioni ku e gjejnë veten në listë të hapur apo të mbyllur, do vazhdojnë me vendosmëri të madhe betejën gjer me datën 11 maj, ditën e fitores së koalicionit Shqipëria Madhështore“, tha Berisha.
Top Channel