
Meqenëse Ukraina ka pranuar propozimet e SHBA-së për një armëpushim 30-ditor, presioni tani është mbi Kremlinin për të vendosur nëse edhe ai do të pranojë planin e Presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, qoftë edhe përkohësisht.
Zyrtarët rusë po lënë të kuptohet se do të ketë kontakte me përfaqësuesit amerikanë “në ditët e ardhshme”, por nuk kanë deklaruar nëse kushtet e armëpushimit, të përcaktuara në bisedimet SHBA-Ukrainë në Arabinë Saudite të martën, do të pranohen.
Për Moskën, ky është një moment e vërtetësie dhe mund të kërkojë kompromise të sikletshme nëse është serioze për paqen.
Kremlini ka pretenduar prej kohësh se është i hapur për negociata për t’i dhënë fund konfliktit, duke këmbëngulur njëkohësisht se duhet të arrijë objektivat e tij ambicioze të luftës, si sigurimi i kontrollit mbi të gjitha territoret e aneksuara të Ukrainës.
Vetëm javën e kaluar, Presidenti rus Vladimir Putin, njeriu i fortë i Kremlinit që nisi këtë luftë brutale tre vjet më parë, u betua para një grupi grash të veja dhe nënash të ushtarëve rusë të vrarë se Moska kurrë nuk do të “dorëzohej”.
Ekstremistët pro-luftës në Rusi, të cilët herë pas here janë inkurajuar nga Kremlini, mund ta shohin armëpushimin si një tradhti. Por një tërheqje e pjesshme mund të jetë e pashmangshme.
Edhe nëse negociatorët rusë arrijnë të vendosin kushtet e tyre mbi armëpushimin – për shembull, tërheqjen e forcave ukrainase nga Kursku, një xhep i vogël i Rusisë i kapur nga Ukraina, ku aktualisht po zhvillohen luftime të ashpra – është e vështirë të imagjinohet që kërkesat më të mëdha territoriale të Rusisë, e lëre më synimi për të larguar NATO-n nga kufiri i saj perëndimor, të përmbushen.
Kjo mund të kthehet gjithashtu në një pikë kthese vendimtare për marrëdhënien çuditërisht të ngrohtë të Putinit me Trumpin, i cili, në këmbim të lëshimeve dhe lavdërimeve të fundit, tani mund të presë që lideri i Kremlinit të tregojë gatishmëri.
Në fakt, “tani topi është në fushën e tyre”, ishte pikërisht ajo që Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha për rusët pas përfundimit të bisedimeve me zyrtarët ukrainas në Xhedah. Vetëm disa ditë më parë, Trump pretendonte se rusët kishin “të gjitha kartat në dorë”. Tani, me apo pa qëllim, ai mund t’i ketë zbuluar bllofin Putinit.
Top Channel