
Udhëheqësi sirian Ahmed Sharaa bëri thirrje për paqe të dielën pasi qindra vetë u vranë në dhunën më vdekjeprurëse në 13 vitet e luftës civile, duke vënë përballë përkrahësit e presidentit të rrëzuar Bashar al-Assad kundër sundimtarëve të rinj islamikë të vendit.
Përleshjet, për të cilat një grup që monitoron luftën tha se kishin shkaktuar vdekjene 1,000 vetëve, kryesisht civilë, vazhduan për të katërtën ditë në qendrën e mbështetësve të Asadit.
Një burim sirian i sigurisë tha se ritmi i luftimeve ishte ngadalësuar rreth qyteteve Latakia, Jabla dhe Baniyas, ndërsa forcat e sigurisë kontrollonin zonat malore përreth ku fshiheshin rreth 5,000 kryengritës pro-Asad.
Presidenti i përkohshëm Sharaa u bëri thirrje sirianëve të mos lejojnë që tensionet sektare të destabilizojnë më tej vendin.
“Ne duhet të ruajmë unitetin kombëtar dhe paqen në vend, ne mund të jetojmë së bashku,” tha zoti Sharaa në një video, duke folur në një xhami në lagjen e tij të fëmijërisë Mazzah, në Damask.
“Të jeni të sigurt për Sirinë, ky vend mund të mbijetojë… Ajo që po ndodh aktualisht në Siri është një sfidë e pritshme”.
Rebelët e udhëhequr nga grupi islamik sunit i Sharaas, Hayat Tahrir al-Sham rrëzuan qeverinë e Asadit në dhjetor. Assadi u arratis në Rusi, duke lënë pas disa nga këshilltarët dhe mbështetësit e tij më të afërt, ndërsa grupi i Sharaas emëroi një qeveri të përkohshme dhe mori drejtimin e forcave të armatosura të Sirisë. Përmbysja e Asadit i dha fund dekadave të sundimit të familjes së tij, që u karakterizua nga një shtypje e ashpër dhe një luftë civile shkatërruese që filloi si një kryengritje paqësore në vitin 2011.
Lufta – në të cilën vendet perëndimore, ato arabe dhe Turqia mbështetën rebelët, ndërsa Rusia, Irani dhe milicitë besnike të Teheranit mbështetën Assadin – u kthye në një teatër për konflikte mes fraksioneve të armatosura, me besnikëri dhe axhenda të ndryshme. Ajo ka shkaktuar vdekjen e qindra-mijëra njerëzve dhe ka zhvendosur miliona sirianë.
RRITJA E KRYENGRITJES
Pas muajsh qetësie relative pas rrëzimit të Asadit, dhuna u rrit këtë javë pasi forcat e lidhura me drejtuesit e rinj islamikë filluan një goditje ndaj një kryengritjeje në rritje nga sekti alavit i Asadit në provincat mesdhetare të Latakisë dhe Tartous. Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Britani, tha të shtunën se më shumë se 1,000 vetë ishin vrarë në dy ditë luftime.
Ai tha se 745 ishin civilë, 125 anëtarë të forcave siriane të sigurisë dhe 148 luftëtarë besnikë të Asadit.
Rami Abdulrahman, kreu i organizatës, tha se civilët përfshinin gra dhe fëmijë alavitë. Zoti Abdulrahman i tha agjencisë Reuters të dielën se numri i të vdekurve ishte një nga më të lartët që nga një sulm me armë kimike nga forcat e Asadit në vitin 2013, i cili shkaktoi vdekjen e rreth 1,400 vetëve në një periferi të Damaskut.
Bashkimi Evropian, zyrtarët e të cilit kanë bërë bisedime me Sharaan që kur ai u bë udhëheqës de fakto i Sirisë, dënoi “të gjithë dhunën kundër civilëve” dhe “çdo përpjekje për të minuar stabilitetin dhe perspektivat për një tranzicion të qëndrueshëm paqësor” në Siri./VOA
Top Channel