Dezinformimi rus! Raporti, mbi 3 milionë artikuj pro-rusë kanë infektuar sistemet e inteligjencës artificiale

09/03/2025 09:23

Në një raport të ri, “NewsGuard”, një platformë e specializuar për monitorimin e dezinformatave në internet, ka zbuluar një rrezik të madh për sistemet e inteligjencës artificiale (AI) në lidhje me përhapjen e propagandës ruse.

Sipas këtij raporti, një rrjet rus i njohur si “Pravda” ka infektuar chatbot-et kryesore të AI me përmbajtje të shtrembëruar dhe dezinformuese, duke krijuar një mjet të fuqishëm për përhapjen e propagandës pro-Kremlinit.

Në vitin 2024, ky rrjet ka “injektuar” 3.6 milionë artikuj pro-rusë në chatbot-et më të përdorura në botë, duke shkaktuar një ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën se si këto sisteme përgjigjen ndaj pyetjeve të përdoruesve. “NewsGuard”, i cili shqyrton fenomenin e dezinformatës në internet, ka zbuluar se “Pravda” ka shpërndarë 207 pretendime të rreme, duke vepruar si një qendër dezinformimi. Kjo është një formë e sofistikuar manipulimi, që përpiqet të përdorë teknologjinë për të kontrolluar informacionin dhe për të shpërndarë narrative të gabuara.

Një nga shqetësimet më të mëdha është ndikimi i këtyre dezinformatave në chatbot-et më të njohura, si ChatGPT, Smart Assistant, Grok, Copilot, dhe shumë të tjera. Këto sisteme, të cilat përdoren nga miliona përdorues në të gjithë botën, tani janë të infektuara me propagandë që shpesh përhap lajme të rreme për temat e rëndësishme politike dhe ushtarake.

Sipas auditimit të “NeësGuard”, chatbot-et janë përgjigjur gabimisht në 33.55% të rasteve. Në 18.22% të rasteve, këto sisteme nuk kanë mundur të japin asnjë përgjigje, dhe në 48.22% të rasteve, ato kanë ofruar përgjigje të pasakta ose të paqarta.

Ekspertët ngrenë alarmin se ky skandal i ri i dezinformimit tregon se si teknologjia dhe propaganda mund të kombinohen për të pasur një ndikim të madh në perceptimin e opinionit publik global.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta