
Britania dhe vendet e tjera evropiane duhet të jenë gati të marrin përsipër NATO-n nëse Donald Trump zbaton kërcënimet se SHBA mund të tërhiqet nga organizata.
Ata duhet të zëvendësojnë ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën të hequr nga Trump dhe të sigurohen që lideri rus Vladimir Putin të mos fitojë konfliktin.
Ky ishte mesazhi i fuqishëm i dhënë të shtunën nga ish-sekretari konservator i mbrojtjes, Sir Ben Wallace.
“Ne jemi dëshmitarë të një epoke të re ku nuk mund t’i marrim si të mirëqena garancitë e sigurisë së SHBA”, tha Sir Ben.
Ai akuzoi presidentin Trump se po përpiqej të “ngacmonte” Ukrainën dhe të “mbyste” shpresat e saj për të mposhtur Rusinë.
“Ne nuk do ta lëmë Putinin të fitojë. Amerikanët mund të bëjnë çfarë të duan, por ajo që Trump do të zbulojë… është se ukrainasit janë njerëz të ashpër”, tha Sir Ben për BBC.
“Putini nuk do të ndalet dhe Presidenti Trump është naiv që mendon se ai do e bëjë”, shtoi Wallace.
“Ky është mesazhi krejtësisht i gabuar për të dërguar nëse doni ta shtyni Rusinë prapa dhe ta bëni Putinin të mendojë se do të ishte më mirë të vinte në tryezë. Donald Trump po e mbyt shpresën se Putini mund të luftohet deri në fund dhe të sillet në tryezë”, tha Sir Ben.
Sipas tij nëse Ukraina vazhdon rezistencën e saj edhe për 18 muaj të tjerë, “ekonomia ruse do të shembet”.
Ai tha se Ukraina mund ta mundë Rusinë, vetëm “nëse të gjithë bashkohen dhe zëvendësojnë atë që amerikanët kanë hequr ose tregojnë vendosmërinë e duhur evropiane, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, se nuk do të shkojnë askund”.
“Britania dhe Evropa duhet të përballen me faktin se është e mundur që SHBA të bëjë kërcënime nga zëvendëspresidenti, J.D Vance dhe të tjerë për të lënë krejtësisht NATO-n”, tha Sir Ben.
Sipas tij, Britania dhe Evropa mund të mbijetojnë pa mbështetjen e SHBA-së, por kjo do të nënkuptojë shpenzimin e shumë më tepër parave për mbrojtje.
“Nuk është fundi i botës nëse ata tërhiqen nga NATO. Ne kemi vullnetin në Evropë dhe paratë, nëse duam, kujdesemi vetë për veten”, tha ai.
“Ne kemi aftësinë, nëse duhet, ta zëvendësojmë SHBA-në. Nuk është e udhës të mendojmë se nëse ata tërhiqen, ne nuk kemi çfarë të bëjmë, nëse besojmë në kapacitetin tone dhe jemi të përgatitur të fusim duart në xhep, mund t’ia dalim edhe pa amerikanët”, tha Sir Ben.
Top Channel