
Ky vit e ka gjetur Tiranën si kryeqytetin mesdhetar të kulturës dhe dialogut, gjatë të cilit janë planifikuar aktivitete të shumta edhe përsa i përket trashëgimisë kulturore.
2025-a gjithashtu i gjen dy institucione të rëndësishme kulturore shqiptare, Muzeun Historik Kombëtar dhe Galerinë Kombëtare të Arteve, në proces rikonstruksioni, për tu shndërruar në objekte moderne.
Elenita Roshi, drejtore e Muzeut Historik Kombëtar: Jemi në kantierin e ndërtimit. Fasada e muzeut ruhet, ndërkohë që këtu në ambientin e jashtëm do të ndërtohet nëntokë, ku do të jenë laboratorët e restaturimit për rreth shtatë mijë objekte që ka muzeu. Atriumi do të përdoret për linjën e historisë së Shqipërisë, që do të jetë e aksesueshme për të gjithë vizitorët falas për 24 orë. Teksa kryhet rindërtimi, objektet muzeale janë sistemuar dhe ruhen në kushte specifike, po këtu në muze.
Teksa vijon edhe rikonstruksioni i Galerisë Kombëtare të Arteve, puna për konservimin dhe restaurimin e veprave të artit të fondit të këtij institucioni vazhdon.
Olsi Laska, përgjegjës i konservimit dhe restaurimit, GKA: Ne jemi në proces restaurimi. Pavarësisht se Galeria Kombëtare për katër vite është mbyllur për rikonstuksion për të sjellë kushte bashkohore në këtë institucion, gjatë kësaj kohe jemi marrë me kartelizimin e veprave, restaurimin dhe konservimin e tyre. Ka mbi 4000 vepra që duan kujdes.
Deri në përfundimin e punimeve në këto dy institucione të rëndësishme të Shqipërisë, Tirana, si kryeqyteti mesdhetar i kulturës dhe dialogut gjatë 2025, ofron muzetë e galeritë e tjera me aktivitete të shumta përgjatë gjithë vitit. Institucionet e kulturës në kryeqytet, janë pjesë e “Ura e Mesdheut”, programit më të ri që po transmetohet të shtunave në Top Channel, një bashkëpunim me fondacionin mediatik “Dritan Hoxha”.
Top Channel