
Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar 31 pasuri në vlerën e miliona eurove të dy anëtarëve të një grupi kriminal.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme, SPAK njofton sekuestrimin e pasurive të shtetasve Jusel Mici dhe Mendim Domi, të arrestuar në vitin 2022, nën akuzën e grupit të strukturuar kriminal që përmes mashtrimit kompjuterik u kanë vjedhur qytetarëve evropiane 15 milionë euro.
Nga hetimet e gjykatës janë zbuluar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të këtyre dy shtetasve, që burojnë nga aktiviteti i tyre kriminal. SPAK iu ka sekuestruar dy anëtarëve të grupit kriminal të mashtrimit disa apartamente dhe vila në Tiranë e Durrës, garazhe, automjete, sipërfaqe toke në disa zona të kryeqytetit, si dhe disa llogari bankare.
Shtetasit Jusel Mici dhe Mendim Domi, së bashku me anëtarë të tjerë të grupit, kishin ngritur një skemë zhvatjeje të qytetarëve të huaj, përmes mashtrimit online, që lidhej me investime të shumave të ndryshme në letra me vlerë dhe kriptovaluta.
Grupi përdorte shoqëri fiktive për të hapur llogari rrjedhëse të huaja në Lituani, Britani e Madhe, Belgjikë, Luksemburg, Gjermani dhe Itali dhe duke menaxhuar faqe interneti që reklamonin aktivitetin. Gjithashtu, janë përdorur edhe qendra thirrjeje të llojit call-center, në Itali dhe Shqipëri, nëpërmjet të cilave kontaktoheshin viktimat, duke i bindur të bëheshin pjesë e programeve të rreme të investimit.
Me marrjen e menjëhershme të këtyre shumave, nga grupi i strukturuar, këto para zhdukeshin duke u konvertuar kryesisht në kriptovaluta.
Top Channel