
Për Emmanuel Macron, do të ishte çmenduri të shpërfillej kërcënimi që përbën sot Rusia për Evropën.
Duke i bërë jehonë komenteve të njeriut që pretendon të marrë postin e kryeministrit në Gjermani, Friedrich Merz, presidenti francez theksoi se është i hapur për bisedime për shtrirjen e ombrellës bërthamore të Francës në vendet aleate në kontinent.
“Ombrella jonë bërthamore na mbron ne: është e plotë, sovrane dhe plotësisht franceze. Megjithatë, duke iu përgjigjur thirrjes historike të kancelarit të ardhshëm gjerman, Merz, kam vendosur ta hap debatin strategjik për mbrojtjen e aleatëve tanë në kontinentin europian përmes ombrellës sonë atomike”, tha presidenti francez, Emmanuel Macron.
Macroni tha gjithashtu se Franca do të duhet të shpenzojë më shumë për mbrojtjen dhe u zotua se Parisi do të vazhdojë ta mbështesë Kievin në luftën e tij kundër pushtimit nga Rusia, që ka hyrë në vitin e katërt.
“Rusia është kthyer në një kërcënim për Francën dhe mbarë Europën. Të rrish e të vështrosh pa bërë asgjë, do të ishte marrëzi. E ardhmja e Evropës nuk ka përse vendoset në Uashington apo në Moskë. Pafajësia e 30 viteve të fundit ka marrë fund. Kush mund të besojë se Rusia e sotme do të ndalet në Ukrainë?!”, shtoi Macron.
Ombrella bërthamore e Francës, e zhvilluar nga ish presidenti Charles de Gaulle, në fillim të viteve ‘60, u krijua që vendi të ishte plotësisht i pavarur nga Shtetet e Bashkuara, të cilat në atë kohë ishin në garë për armë bërthamore me Bashkimin Sovjetik. Sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë, Shtetet e Bashkuara (5.044 koka bërthamore) dhe Rusia (5.580) zotërojnë rreth 88 për qind të inventarit të përgjithshëm të armëve bërthamore në botë, ndërsa Franca ka 290 koka bërthamore dhe Britania rreth 225.
Top Channel