
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur komentuesve për sa i përket zhvillimit të turizmit në Shqipëri.
Vëmendjen e shtuar të Shqipërisë turistike në botë nuk e shohin të gjithë shqiptarët si kryeministri.
Me kthimin nga panairi i Berlinit, që për herë të parë Shqipëria ishte vendi i nderit, Edi Rama ju është përgjigjur kritikave online që e shohin të pakrahasueshme zhvillimin e turizmit në vend në lidhje me fqinjët.
Për kryeministrin turizmi nuk duhet të ketë ngjyra politike, dhe sipas tij rëndësia nuk qëndron thjesht te numrat e vizitorëve të huajve, por te shpejtësia e rritjes së Shqipërisë në raport me veten si destinacion turistik.
“Pavarësisht se ti të mos e duash këtë qeverinë time të poshtër, nuk duhet të pengojë që të gëzohesh për Shqipërinë. Qeveritë venë e vinë, por kjo e PS do jetë dhe ca vite këtu, sa të fusim Shqipërinë në Bashkimin Evropian, të paktën. Por tek e fundit Shqipëria mbetet përjetë dhe kur Shqipëria shkëlqen në një drejtim si ky i turizmit s’ke pse ia kursen vetën një buzëqeshje mor Paulin”, shprehet Rama.
Meritat e zhvillimit turistik, Rama ia njeh Partisë socialiste. Dhe krahasimin e bën me Shqipërinë në kohën e PD-së.
“A do rritej kështu turizmi nëse aeroporti do ishte më i shtrenjti në Europë? Nëse Tirana do të vazhdonte të ishte ajo e 10 viteve më parë, që gërhiste dhe e rizgjuam nga gjumi? Nëse Shqipëria do ishte akoma inferior ndërkombëtarisht si 10 vite më parë që rrudhnin buzët sa dëgjonin shqiptare? Ka shumë nëse, nëse po ka një fakt kokëfortë: suksesi i Shqipërisë turistike sot është vizioni, program, puna këmbëngulëse e kësaj qeverie”, shtoi ai.
Të paracaktuar Rama sheh fatin e 2025, si vitin e mandatit të ri qeverisës.
Top Channel