
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një video me Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçin, duke hedhur poshtë pretendimet e Sali Berishës se ai ishte arratisur për t’i shpëtuar drejtësisë.
Deklarata e Berishës solli reagime të forta dhe të njëpasnjëshme nga kryeministri Edi Rama, i cili mohoi që Sekretari i Përgjithshëm i kryeministrisë, Engjëll Agaçi, të jetë arratisur, por sqaroi se ai është në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Këtë të martë, kryeministri Rama, sapo është kthyer nga Gjermania, ku ndodhej në Panairin e Turizmit, pjesë e së cilës ishte për herë të parë edhe Shqipëria, ka publikuar një video, ku shfaqet në krah të Engjëll Agaçit, dhe ku jep edhe një mesazh ironik për kreun e opozitës.
“Ky është Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, të cilin Bufi i Kënetës e shpalli arratiak në kërkim nga drejtësia dhe e gjithë aradheja kënetore kanal më kanal e portal më portal, ia telendisi familjen e të afërmit, duke batërdisur publikun me kua-kua-kuara të ububushme, teksa tjetri ishte në fije të perit në reanimacion me frymëmarrje të drejtuar, pas një operacioni në zemër që pasoi nga një ndalim i funksionit të mushkërive”-shkruan Rama krahas videos.
Top Channel