
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, deklaroi Trump ka një marrëdhënie të shkëlqyer me shumë aleatë evropianë, por sipas tij ata thonë gjëra të ndryshme në publik dhe privat për luftën Rusi-Ukrainë.
“Këtu është problemi me evropianët … ata duhet të jenë realistë dhe pjesa më e çmendur për këtë, është se ndonjëherë ju keni krerët e shteteve evropiane që në publik do të fryjnë gjoksin e tyre dhe do të thonë: Ne jemi në këtë me Presidentin Zelensky për 10 vitet e ardhshme.
Dhe privatisht ata do të marrin telefonin dhe do të thonë: Kjo nuk mund të vazhdojë përgjithmonë, ai duhet të vijë në tryezën e bisedimeve.
Sinqerisht nuk më intereson çfarë thonë evropianët në publik, ajo që më intereson është se çfarë thonë ata në mënyrë private. Dhe ajo që ata duhet t’i thonë Presidentit Zelensky është se kjo nuk mund të vazhdojë përgjithmonë, gjakderdhja, vrasjet, shkatërrimi ekonomik, po i bën të gjithë më keq”.
Në vazhdim të intervistës së tij në Fox News, JD Vance thotë se dera është e hapur që Trump dhe Zelensky të rifillojnë negociatat, por me një paralajmërim.
“Për sa kohë që Zelensky është i gatshëm të flasë seriozisht për paqen. Ju nuk mund të hyni në Zyrën Ovale apo kudo tjetër dhe të refuzoni të diskutoni as detajet e një marrëveshjeje paqeje”, tha ai.
Vance thotë se problemi është se Zelensky nuk ishte i gatshëm të fliste për paqen pa garanci sigurie, një diskutim që Shtëpia e Bardhë ka thënë se duhet të vijë pas një marrëveshjeje paqeje.
“Kur ata janë të gatshëm të flasin për paqe, mendoj se Presidenti Trump do të jetë personi i parë që do të marrë telefonin”.
Top Channel