Përkujtohet Luigj Gurakuqi! Ceremonia në Bari me rastin e 100 vjetorit të vrasjes

03/03/2025 16:41

Në nderim të Luigj Gurakuqit, u mbajt në Bari një ceremoni përkujtimore me rastin e 100-vjetorit të vrasjes së një prej figurave më të rëndësishme të historisë shqiptare.

Në vendin ku më 2 mars 1925 u ekzekutua Luigj Gurakuqi u organizuan homazhet me prani të kryetares së Kuvendit Elisa Spiropalit, përfaqësues të pushtetit vendor të Barit, diplomatë shqiptarë dhe italianë, si dhe anëtarë të komunitetit shqiptar në Itali.

Në fjalën e saj, kryeparlamentarja vlerësoi kontributin historik të Gurakuqit, duke e cilësuar atë si një patriot, diplomat dhe arkitekt të shtetit shqiptar. Spiropali theksoi rolin e tij në shpalljen e Pavarësisë, ndërtimin e sistemit arsimor dhe përpjekjet për demokraci në Shqipëri. “Miqësia mes dy vende e dy popujve tanë është “përkthyer” në mbështetjen më të madhe që një vend e popull tjetër, mund të japë për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen europiane.

Kjo pllakë, sot në 100-vjetorin e vrasjes së këtij vigani liberator, siç do ta quante Fan Noli, shikon dhe konfirmon se ëndrra e Luigj Gurakuqit për një Shqipëri “në caqet e idealit të tij”, siç shprehej në përcjelljen e tij shqiptari tjetër i madh Hasan Prishtina, po realizohet”- përfundoi fjalën e saj Spiropali.

Top Channel