
Nga një distancë e vogël ish kryeministri Sali Berisha aktualisht drejtues i PD, njoftoi nga dera e SPAK kreun e PL-së, Ilir Meta se në zgjedhjet e 11 majit do jenë bashkë.
Mbasi mbylli detyrën që i ka lënë gjykata për tu paraqitur Sali Berisha njoftoi se emri i ish presidentit aktualisht në 313 , të cilin e cilësoi të burgosur politik do të jetë në listat e sigurta të PD që janë listat e mbyllura.
“Lista të hapura? A mund të bëjë fushatë ai nga burgu. Ai donte nga lista të hapura, por ata e mbajnë në burg që të mos bëjë fushatë, sepse Edi Rama do të marrë mandatet duke mbajtur kundërshtarët në burg. Prandaj ai do jetë deputet në parlament dhe Edi Rama do jetë aty ku e meriton, do ekstradohet tek McGonigali. Bile ja tani atje është McGonigali”, tha Berisha.
Dhe ndërsa të gjithë janë mbërthyer nga aktiviteti politik para zgjedhor, Berisha nuk ka aspak besim tek njësia e posaçme e SPAK.
Kjo e hënë ishte një nga ditët kur Sali Berisha duhet të paraqitej siç ja kërkon gjykata prej 3 janarit për të firmosur shkresën. Edhe kësaj here Berisha tha se i shkroi një letër SPAK.
Edhe këtë të hënë mbështetësit e ish kryeministrit ishin të pranishëm në ambientet e gjykatës së posaçme.
Berisha: Tani, çfarë gjeta unë aty. Aty ish-xhelatin e Sigurimit të Shtetit, Arben Kraja që po merrte një strajcë me pare nga Benet Beci dhe po pinin një kafe shtruar. Pra, një.
Gjeta kurban Etjenin e Fatmir Xhafës, kurban të marrëveshjes Rama-Dumani. Sepse Etjeni e shkeli marrëveshjen sipas të cilës nuk mund të sulmohet më Skapi pa autorizimin e plotë të Edi Ramës. Marrëveshja është kufizimi, ndalimi i hetimeve për zyrtarët e lartë. Dhe pasi dështoi në bashkimin e votave me opozitën, pasi u përpoq të tërheqë opozitën në një akt antikushtetues dhe të papërgjegjshëm, u ul nëpërmjet Ulziut dhe firmosi marrëveshjen. Etjeni kishte mbetur aty, nuk dilte më nga Skapi.
Edhe një gjë, është shumë interesante të lexoni aty ku firmos unë dëshminë që unë erdha, aty thotë procesverbali nuk mund të bëhet asnjë vërejtje. Dhe unë pastaj bëj një fletë të veçantë ku i them: Prokuroria politike e Edi Ramës, e kukullës së Xhorxh Sorosit, me një krye mercenar Dumanin, është vegël e regjimit të tij dhe patericë e pushtetit të krimit, i cili merr fund me turp më 11 maj të vitit 2025.
Ky është mesazhi për Edi Ramën që lashë në tavolinë. Tani vazhdon. Ne jemi opozitë dhe për ne, beteja për votën e lirë është beteja e të gjitha. Armiq të votës së lirë sot janë ministra, kriminelë të votës së lirë janë ministra dhe mbiministra.
Top Channel