“15 ditë prilli”/ Teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës çeli sezonin e ri artistik

03/03/2025 15:30

Teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës ka çelur sezonin e ri artistik me dramën “15 Ditë Prilli”, një vepër e Anisa Markarian, me regji të Driada Dervishit.

Shfaqja sjell në skenë absurditetin e një shoqërie të nënshtruar nga frika dhe propaganda, duke përshkruar festimet e detyruara për ditëlindjen e ish-udhëheqësit komunist, 50 vjet më parë.

Me një kast prej 12 aktorësh që interpretojnë mbi 50 personazhe, vepra ndërthur satirën me tragjedinë.

Ka qenë një sfidë e madhe. Një nga produksionet mė të forta. Vetë procesi i ndërtimit të dialogut ka qenë një proces laborator mes aktorëve, regjisores dhe autores. Kjo ka pasur të bukurën e vështirësitë e saj…“, shprehet Driada Dervishi, Regjisore.

Një produksion i kuruar në detaj, ku skenografia, muzika dhe e folura e personazheve luajnë një rol kyç në krijimin e një atmosfere që të përfshin plotësisht në realitetin e asaj kohe.

“Kënaqësi që romani gjeti rrugën e skenës për të ardhur para artdashësve. Si vajzë Durrësi jam shumë e emocionuar dhe e lumtur që së pari aktorët e teatrit të Durrësit dhe ata të TK e bënë për vete romanin. Është hapi im i parë në dramaturgji dhe do të vijoj”, thotë Anisa Markarian, Autore.

Në këtë dramë interpretojnë emra të njohur të skenës shqiptare. Për aktorët, sfida më e madhe ishte të sillnin në skenë realitetin e një sistemi që shtypte mendimin e lirë.

Është një punë kolosale. Ka shumë personazhe dhe kjo është sfida jonë. Të dalim nga plaçkat e një personazhi e të futemi tek personazhi tjetër”, Amos Zaharia, aktor.

Shfaqja do të vijojë në Teatrin “Aleksandër Moisiu” deri më 4 mars, duke i dhënë publikut mundësinë të përjetojë një histori që sfidon harresën.

Top Channel

BIG BROTHER BIG BROTHER - Portokalli - AG SHOW - Bileta